Zgjedhjet mbaruan por Covid-19 jo, Alimehmeti ngre alarmin për dy javët e fundit të majit

Mund të themi se muajin e fundit, pandemia e koronavirusit te sytë e qytetarëve është “zbehur”. Të fokusuar në garën politike, mund të shohësh pa frikë me qindra qytetarë që nuk respektojnë masat anti Covid.

Edhe pse Instituti i Shëndetit Publik miratoi një protokoll anti-Covid për gjithë procesin, si gjatë ditës së votimit, por edhe gjatë procesit të numërimit, duket se ai ka qenë i pamundur për tu zbatuar.

Ditën e hënë janë raportuar për herë të parë, pas shumë muajsh, vetëm 69 raste të reja infektimi dhe vetëm 1 humbje jete. Por, si pritet të jetë situata në vend pas zgjedhjeve?

 I ftuar në “Wake Up”, epidemiologu klinik, Ilir Alimehmeti tha se pasojat e mosrespektimit të masave anti-Covid do të ndihen në javën e 3-4 të majit.

“Ka një rënie reale ta rasteve dhe kjo reflektohet edhe në shtrimet në spitale. Është një pritje që të ketë një farë efekti nga zgjedhjet. Mirëpo, duhet të marrim parasysh që edhe terrenin nuk e kemi shumë të qartë.

Një pjesë e madhe e popullatës e kanë kaluar. Por, zona rurale mund të kenë një risk më të lartë duhet të presin fundin e majit për ta kuptuar vërtetë. Java e 3-4 e majit do na tregojë më qartë këtë gjë”, tha Alimehmeti.


Shtuar 28.04.2021 07:57