Zgjedhjet e 11 majit/ Pse nuk votohet elektronikisht në të gjithë vendin? Celibashi: PD, me dyshime, do të jetë pilot sërish

Gjatë intervistës në emisionin Quo Vadis, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, tha se votimi elektronik nuk do të zgjerohet në njësi të tjera në Tiranë, për zgjedhjet e 11 majit, pasi Partia Demokratike, nuk ka qenë dakord me propozimet e bëra.

Pas diskutimeve me partitë politike dhe shqyrtimit të mundësive, Celibashi njoftoi se votimi elektronik do të aplikohet vetëm në disa zona të Tiranës, ndërsa procesi do të monitorohet nga KQZ.

Pjesë nga biseda:

Borakaj: Në zgjedhjet e 11 majit si do të procedohet me votimin elektronik? Në çfarë faze jemi?

Celibashi:Pas konsultimeve që bëmë me partitë politike dhe një kërkese që i dërguam partive politike, PD-ja, partia kryesore e opozitës nuk ishte dakord, të paktën për këto zgjedhje, për arsyet që ata i kanë bërë publike, të zgjerohej votimi elektronik në të gjithë qarkun e Tiranës apo dhe në qarqe të tjera. Nuk ishin dakord me të gjitha përcaktimet që ne menduam dhe tashmë nuk do ta zhvillojmë.

Do të ngelet për ta zhvilluar votimin elektronik si pilot. Për sa kohë partia kryesore e opozitës nuk është dakord, ne u tërhoqëm nga ideja për të zhvilluar në gjithë qarkun e Tiranës votimin elektronik. Do të shohim në cilat njësi të Tiranës apo diku tjetër do ta aplikojmë”.

Borakaj: Keni ju sugjerime?

Celibashi:Ne kemi menduar në të njëjtat njësi që kemi zgjedhur edhe më parë, por gjithsesi ngelemi të hapur”.


Shtuar 29.01.2025 09:22