Zgjedhja e Klodian Brahos në krye të SPAK, reagon Edi Rama: Do ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës sonë qeverisëse

Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pasi Prokurori Klodian Braho është zgjedhur sot drejtues i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, duke siguruar 7 vota pro në garë me tre kandidatë të tjerë.

Rama ka përgëzuar drejtuesin e ri të SPAK-ut, duke i uruar “punë të mbarë” në drejtimin e institucionit, ndërsa përgëzoi drejtuesin aktual, Altin Dumani, për të cilin tha se “meriton përgëzime për arritjet e pamohueshme të SPAK-ut në tre vitet e drejtimit të tij”.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë shprehet se SPAK ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës qeverisëse, për të përmbushur në pavarësi e kushte optimale misionin e vet.

“Punë të mbarë drejtuesit të ri të SPAK-ut, i cili u zgjodh sot mes katër kandidatësh për të çuar më tej punët e mandatit të tretë të institucionit, duke marrë stafetën nga drejtuesi aktual, që meriton përgëzime për arritjet e pamohueshme të SPAK-ut në tre vitet e drejtimit të tij. SPAK ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës sonë qeverisëse, për të përmbushur në pavarësi e kushte optimale misionin e vet”, shkruan Rama në “X”.

Kujtojmë se Braho do të marrë detyrën më 19 dhjetor, pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit, dhe do të shërbejë për një mandat trevjeçar.

Si votuan anëtarët e KLP-së për kreun e SPAK?

-Kryetar Mirela P. BOGDANI -Klodian Braho

-Zv. Kryetar Erind GËRMENJI -Klodian Braho

-Anëtar Erind MERKURI -Adnan Xholi

-Anëtar Erion FEJZULLA -Elvin Gokaj

-Anëtar Vatë STAKA -Adnan Xholi

-Anëtar Moisi DUDA -Klodian Braho

-Anëtar Olger EMINAJ -Klodian Braho

-Anëtar Ledina RIZA -Klodian Braho

-Anëtar Arta MANDRO -Klodian braho

-Anëtar Sokol STOJANI -Adnan Xholi

-Anëtar Zeqir HODA -Klodian Braho


Shtuar 11.12.2025 18:24