Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha të mërkurën se forcat e vendit nuk kanë mjaftueshëm armë “serioze dhe të rënda” për të mposhtur ushtrinë ruse në qytetin port juglindor të Mariupol.
Ai përshkroi dy mënyra të mundshme për t’i dhënë fund ngecjes në qytet: “Së pari, ajo përfshin armë serioze dhe të rënda […] në momentin që ne nuk kemi mjaftueshëm nga këto armë për të çliruar Mariupolin. Rruga e dytë është diplomatike. Deri më tani Rusia nuk është pajtuar me këtë.
“Ne nuk e dimë se kur mund të zhbllokojmë Mariupolin. Dhe këtë e them hapur, se të gjithë djemtë në Mariupol duan fitoren tonë, duan një qytet të lirë, asnjëri prej tyre nuk do t’i dorëzohet armikut. Kjo është ndjenja e tyre e brendshme, kjo është ajo që ata janë”, shtoi ai, duke folur së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel në Kiev.
Zelensky tha gjithashtu se “disa mijëra” civilë ukrainas që u larguan nga qyteti i rrethuar i Mariupolit përmes korridoreve të evakuimit në territoret e pushtuara ruse nuk dihen aktualisht.
Mijëra civilë janë larguar me sukses nga Mariupoli përmes korridoreve të rënë dakord me Rusinë, por “për fat të keq disa mijëra civilë shkuan në territoret e pushtuara ruse dhe ne nuk e dimë fatin e këtyre mijëra njerëzve”, shtoi ai.
Ukraina është “gati për çdo format shkëmbimi të njerëzve tanë për trupat ruse që lanë pas, trupat dhe të plagosurit që ata braktisën këtu”, tha ai./albeu.com