Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë për përkeqësim të qëllimshëm të situatës rreth centralit bërthamor të Zaporizhzhia, në mes të një vizite nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).
Një zëdhënëse i IAEA tha për CNN më herët se linja e transmetimit që lidh termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia me rrjetin energjetik të Ukrainës ishte shkëputur qëllimisht për shkak të një zjarri.
Zëdhënësja tha gjithashtu se linja nuk kishte pësuar ndonjë dëmtim dhe do të rilidhej sapo të shuhej zjarri. Ukraina fajësoi Rusinë për bombardimet, e cila, tha ajo, shkaktoi zjarrin.
“Unë e konsideroj shumë elokuent faktin që Rusia po e bën këtë tani, pikërisht në prag të përfundimeve të IAEA-s,” tha Zelensky në fjalimin e tij të natës. “Granatimi i territorit të ZNPP-së do të thotë se shtetit terrorist nuk i intereson çfarë thotë IAEA, nuk i intereson çfarë vendos komuniteti ndërkombëtar. Rusia është e interesuar vetëm të mbajë situatën në gjendjen më të keqe për kohën më të gjatë,” shtoi ai, duke shpjeguar se kjo ishte hera e dytë që termocentrali bërthamor Zaporizhzhia ishte shkëputur nga rrjeti ukrainas, duke e sjellë atë “një hap larg një katastrofe nga rrezatimi.”
“Kjo mund të ndryshohet vetëm duke rritur sanksionet, vetëm duke njohur zyrtarisht Rusinë si një shtet terrorist, në të gjitha nivelet. Kjo kërkon një përgjigje ndërkombëtare – duke filluar nga OKB-ja për çdo shtet normal”, përfundoi Zelensky.