Personi që shihni në foto është 57-vjeçari Demir Backa i cili mbeti i vrarë një natë më parë në një atentat në Fier. Ai do të përcillet për në banesën e fundit pasditen e kësaj të diele.
Sipas News24, nga pamjet e sekuestruara nga policia, 57-vjeçari është vrarë nga dy persona. Policia ka sekuestruar 16 gëzhoja kallashnikovi në vendngjarje. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se atentati mafioz është kryer për hakmarrje. Policia është përqendruar në të shkuarën e Demir Backës dhe rezulton se disa muaj me parë ai ka prishur ekuilibrat dhe ka pasur një konflikt me një person me influence në Fier, i cili ishte subjekt i OFL.
Backa u ekzekutua një natë më parë (23 tetor) me breshëri kallashnikovi në rrethorrotullimin e ish-QTU në Fier. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:40. Viktima ishte brenda makinës së tij tip “Audi” ku një automjet tjetër u afrua dhe shkrehu breshëri automatiku drejt Backës.
57-vjeçari mbeti i plagosur rëndë dhe fillimisht u dërgua në spitalin rajonal të Fierit, por fatkeqësisht nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra. Ai ndërroi jetë disa minuta pas ngjarjes.
Vrasja mobilizoi policinë e cila ngriti pika kontrolli në të gjithë territorin ku pas ngjarjes, gjetën një automjet të djegur në afërsi të fshatit Daullas në zonën e Bypassit të Fierit.
Dyshohet se automjeti i përket autorit ose autorëve të ngjarjes, ku brenda tyre janë gjetur dy armë zjarri, një kallashnikov dhe një pistoletë.