Zbardhet krimi horror në Durrës/ Pas vrasjes i biri denoncoi se babai ishte larguar nga banesa me një grua të panjohur

Kallëzoi në Polici se babai i tij ishte larguar nga banesa dhe se kishte humbur kontaktet me të, Policia, pas tri javësh hetime të thelluara dhe pas kërkimeve, zbardh ngjarjen dhe gjen trupin e 62-vjeçarit.

Policia vuri në pranga 30-vjeçarin, i cili kishte vrarë me armë zjarri pistoletë babanë dhe e kishte hedhur në një pus. Policia gjeti dhe sekuestroi armën me të cilën 30-vjeçari kreu vrasjen.

Pas një pune intensive hetimore të bërë nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, Sektori për Hetimin e Krimit Kibernetik në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të vrasjes së shtetasit E. B., 62 vjeç.

Shtetasi E. B., 30 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, Durrës, ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Durrës, se prej mëngjesit të datës 13.08.2024, babai i tij, shtetasi E. B., 62 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, ishte larguar nga banesa, me një shtetase të panjohur për të, dhe pas këtij momenti, 30-vjeçari kishte shkëputur kontaktet me babanë dhe nuk kishte mundur të lidhej më me të.

Gjithashtu, ky shtetas ka deklaruar se dyshonte se kjo shtetase mund ta kishte vrarë babanë e tij dhe se 62-vjeçari nuk kishte arsye që të largohej nga banesa.

Djali tjetër i shtetasit E. B., shtetasi A. B., pasi është njoftuar se babai ishte larguar nga banesa, është kthyer nga Italia dhe ka kallëzuar në Polici, se në rrjetin social Instagram, i ka shkuar një mesazh, nga një shtetase e panjohur prej tij. Në mesazh thuhej që familjarët të mos e kërkonin 62-vjeçarin, pasi ai ishte larguar me pushime.

Strukturat hetimore të DVP Durrës, duke qenë para këtyre fakteve, kanë intensifikuar hetimet dhe kërkimet, pasi lindën dyshime se kishim të bënim me një krim brenda familjes.

Si rezultat i veprimeve intensive u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, kapja dhe arrestimi i djalit të shtetasit E. B., konkretisht shtetasi E. B., 30 vjeç, i cili ka pranuar autorësinë e këtij krimi, pas një konflikti që kishte me babanë për një shumë lekësh (7 500 000 lekë të rinj, kursime të përbashkëta familjare) që dyshonte se ia kishte vjedhur 62-vjeçari.

30-vjeçari, më datë 13.08.2024, në afërsi të stanit të tyre në arat e fshatit Shënavlash, pasi është kofliktuar fizikisht me babanë e tij, e ka vrarë atë, me armë zjarri tip pistoletë.

Armën e krimit e ka hedhur në një kanal, ndërsa trupin e babait e ka trasportuar dhe hedhur në një pus në një arë të këtij fshati, rreth 1 kilometër larg nga vendi i ngjarjes.

Grupi hetimor ka gjetur trupin e shtetasit E .B., dhe ka sekuestruar armën e zjarrit tip pistoletë, kasafortën e hapur me sende të forta, ku mbante lekët 30-vjeçari dhe prova të tjera që lidhen me ngjarjen.

Trupi i shtetasit E. B. u transportua në Morgun e spitalit të Durrësit, për ekzaminim mjeko-ligjor.

Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedural i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja për shkak të marëdhënieve familjare”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”.


Shtuar 4.09.2024 17:58