Zbardhen bisedat në “SKY”/ Talo Çela: Na zuri halli me një spiun shpifës, mjaft më kapi virusi me lekë se pa lekë booo, goca më çmendi me zemra

Në 9 prill te vitit 2019, dy banda grabitësish profesionistë të drejtuar nga Talo Çela dhe Admir Murataj, arrijnë të thyejnë sigurinë kombëtare duke depërtuar të armatosur me kallashnikokvë, në pistën e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Nga barku i avionit që i përkiste linjës së fluturimit Tiranë-Vjenë, ata morën çantat me gati 4 milion euro, që i përkisnin tre bankave të nivelit të dytë në Shqipëri.

Ngjarja tronditi sistemin bankar dhe sigurinë kombëtare, aq sa bëri të mblidhet me urgjencë Komisioni i Sigurisë dhe Aeroporti i Rinasit të rrethohet nga Policia Ushtarake dhe Forcat “Komando” të Ushtrisë , ndodhi në muajin Prill 2019.

Pas grabitjes zëdhënësja e “Austrian Arlines”, Tanja Gruber, deklaroi në atë periudhë për agjencinë e lajmeve AFP-ë, se kjo kompani ajrore nuk do të kryejë më transferime të parave cash nga Tirana drejt Vjenës.

Për këtë ngjarje, Talo Çela, u shpall në kërkim nga Krimet e Rënda pasi Alkond Bengasi, njëri nga të arrestuarit fillimisht kishte pranuar të bashkëpunonte dhe tregonte çfarë dinte për ngjarjen.

Talo Çela, ishte njëri nga organizatori i kësaj super-grabitje së bashku me vëllezërit Çala dhe Gramoz Murataj. Por nga ana tjetër, vetë Talo Çela në komunikimet e “Sky”, pranon se ishte njëri nga kryesorët e grabitjes dhe shoferi i furgonit të bardhë me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.

Problemet për Talo Çelën dhe të tjerët, kishin lindur pas kapjes së Alkond Bengasit, gjurma e gishtit të të cilit u identifikua në pasqyrën e vogël që ndodhet në strehën e diellit të furgonit që u përdor në këtë grabitje.

Një vit pas ngjarjes së rëndë, Talo Çela qëndron i fshehur në një banesë në Tiranë, ndërsa në këtë kohë kishte pllakosur bllokimi total i lëvizjes për shkak të virusit “Covid-19”.

Përmes aplikacionit “Sky”, Talo Çela, bisedon me një person tjetër ende të paidentifikuar nga prokuroria SPAK, duke ju ankuar se spiuni i kishte hapur problem kot së koti.

Është periudha kur në 19 Mars 2020 kapen nga policia në një banesë tek “Mali i Robit” në Kavajë, dy vëllezërit Klemend dhe Eldi Çala, kushërinj të Alkond Bengasit, i cili kishte folur për ngjarjen e grabitjes tek prokurorët e Krimeve të Rënda.

Biseda zhvillohet në muajin Mars 2020, ndërsa grabitjas e parave në Rinas, kishte ndodhur në 9 Prill 2019.

Në 27 Mars 2020, Talo Çela i shkuar njeriut të paidentifikuar se e ka zënë halli me një spiun shpifës dhe se çunat që janë kapur (vëllezërit Çala) do flasin në favor të tij, duke ia lehtësuar pozitat Talos.

Më tej në vijimësi të bisedës Talo Çela, i thotë bashkëbiseduesit se po qëndron në Tiranë, ku ka shtëpi dhe gjithçka tjetër dhe për këtë kujdeseshin vëllezërit Çopja, të cilët blinin shtëpi dhe i mobilonin në kohë rekord për ti kthyer në baza strehimi për Talo Çelën, që ndryshe thirej nga anëtarët e organizatës si “Katnari”, “Moma” dhe “Dhelpra”.

Sipas Talos, spiuni Alkond Bengasi, e akuzon atë se i ka shitur makina (Furgon) kushërinjve të tij Çala dhe se personi të cilit Talo i referohet “spiuni” do ballafaqohet me kushërinjtë e tij, por ata nuk flasin dhe nuk do pranojnë që kanë marë furgona nga Talo dhe kështu sipas tij bie akuza.

Talo, i thotë në “Sky” personit tjetër se ata dy vëllezërit janë çuna të mirë dhe se i ka marrë në qafë një ordiner kot së koti, duke pretenduar se makina që është djegur pas grabitjes së eurove në Rinas, është shitur tek vëllezërit Çala.

“…ja na zuri halli kot me një spiun shpifës. Ato çunat, kryesorët u kapën të shkretit, ato flasin për mua tani dhe më lehtësojn ato. Po këtu jam TR, këtu rri kam vend, ship, të gjitha…ai spiuni më akuzon që i kam shit makina atyre kushërinjve të tij, fugona…. Tani ato çunat u kapën, jan aty të gjithë spiuni me ato kushërinjt… Tani ballafaqohen spiuni me kushërinjt dhe ato për mua nuk flasin, nuk pranojn që kanë marrë furgona nga unë pastaj bie akuza ime… po ato dy vëllezërit janë çuna të mirë shumë ato… I mori më qafë një ordiner kot, akuza ime është që un i kam shit makinat që u dogjën ato fugonat… E kam më të lehtë akuzën sa ato tjerët….”-i thotë Talo Çela personit tjetër të paidentifikuar në “Sky”.

Në po të njëjtën ditë, në 27 mars 2020, në vijim Talo Çela, i shkruan bashkëbiseduesit të tij se shteti nuk ka prova për asnjë nga ata por flet vetëm ai spiuni, për të cilin Talo thotë se: “…nuk e fiton statusin…”, pasi sipas tij nuk ka qenë present, i ka të dëgjuara nga larg dhe se për Talon dhe të tjerët, ka thënë tre versione të ndryshme dhe nuk ja kanë marrë për bazë.

Gjithashtu, Talo Çela, i thotë në “Sky” bashkëbiseduesit të tij se nuk e kapin dot, pasi tregohet i kujdesshëm, nuk del dhe se personat e tjerë, janë kapur pasi sipas tij kanë marrë gratë dhe fëmijët me vete.

“…prova për ne nuk kan shteti për asnjë veç flet ai spiuni, por dhe spiuni nuk fiton status se nuk ka qenë present, i ka me dëgjuara nga larg dhe ka thënë tre versione të ndryshme ai për ne. Nuk ja kan marrë për bazë. Dhe me lekë, ndërhyrje të sakta mund t’ja dalim un dhe se di për ato dy vëllezërit ishalla… po unë do i jepja prap, po ai nuk mori më…iku u mor me tjerët se din vetë ai, por dhe un e di ku iku dhe si dhan hahaaaajaajajjaaj… jo s’kan dalë, mund ti bëjmë ndonjë ndërhyrje të fortë se ai vogli (Klemend Çala) ka burg dhe Greqi, 25 vjet, plus SPAK hhajaajjjajaajajajaa…por avokat Visha i tha që do bëjmë seanca gjygjësore ta ulim ke 7 vjet tek ai vogli…(Klemend Çala). Po tani pa dalë në gjyqe nuk del dot ai, mund të dal veç unë tani…. Po tani është halli kësaj çështje kjo e keçja të dalim nga kjo. Bib Ndreca gjygjtar tek tani, për mandat arresti…të iki ky virusi se na ç’mendi të bëj unë kërkesën dal unë me vllain e madh (Eldi Çalën) se ai vogli ka ca punë akoma…”,-i tregon Talo Çela personit të paidentifikuar.

Më tej, bashkëbisedimi mes tyre vijon në faktin se Talo Çela nuk ka shanse të kapet nga policia, pasi ai nuk del fare dhe nuk mban kontakte me familjarët e tij, gruan dhe vajzën.

“…gjykatat nuk punojn vëlla fare, kur të hapet me kismet unë nuk dal kollaj, nuk më kap dot njeri hhajajajaajjajajajaja…. ato morën gratë fëmitë prandaj u kapën… unë nuk takoj asnjë timin po fare, i shkoj befasi gjithmonë një herë në 3 muaj hjajajajajajaja. Gocën mirë e kam po se takoj, veç 3 herë për një vit i kam dhënë “PXHP” më çmendi me zemra hhahahaahahahhaahahahaahaaha… …babi ma bën… haahaah.. po mirë shpi me gruan u çmend, do kafe duhan hahahah, ca lekë për bukë kanë hahaha. Mjaft më kapi virusi me lekë se pa lekë booooo…”,-shkruan Talo Çela.

Nga analizimi i bisedave në “Sky” prokurorja Doloreza Musabelliu, ka zbuluar se për të humbur çdo gjurmë mes tij dhe familjes, Talo Çela kishte përdorur një truk shumë domethënës, duke ndryshuar në Gjendjen Civile emrin e babait të vajzës nga “Talo” në “Korab”, një person ky që pas shumë verifikimeve rezultoi se nuk ekzistonte.

Gjithçka ishte bërë false. Ndërkohë, nga ana tjetër, Talo Çela i thotë gruas që gjithçka nga pasuritë të kalojë në emër të vajzës së tij, A.H.

Hetimi ka provuar se në emër të vajzës së tij A.H është hapur një biznes në Tiranë, i emërtuar “Perspectivë” me aktivitet shitjen e veshjeve të ndryshme të blera në Turqi dhe të tregtuara për një periudhë të paktën 1 vjeçare në një dyqan në rrugën “Kolombo” në Liqenin e Thatë në Tiranë.

Ndërkohë, në 16 korrik 2020 Talo Çela, i tregon Franc Çopjas se: “…shpreson të mbylli Rinasin dhe se nuk e di se çfarë provash mund të ketë prokuroria…”.

Ndërkohë në 28 korrik 2020 Talo Çela bisedon me një person tjetër, të cilit i shkruan se do largohet në Brazil, ku do marrë identitet tjetër nëse dalin prova për përfshirjen e tij në grabitjet e Rinasit.

Kjo pasi sipas tij, këtu në Shqipëri mund të dënohet me 20 vjet burgim. Gjithashtu, Talo Çela shprehet i shqetësuar edhe për vrasjet e ndodhura.

“…do iki në Brazil, andej me emër tjetër po doli prova këtu për Rinasin, s’kam ku rrij më kot këtu në Shqipëri. Këtu merr 20 vjet, plus dhe këto vrasjet e leshit…”,-thotë Talo Çela në “Sky”.

Më tej, në 7 dhjetor 2020, Talo Çela, i ka treguar Franc Çopjat se çështja e Rinasit është problematike, pasi nuk e ka lënë rehat spiunët si Alkond Bengasi.

Gjatë bisedës të zhvilluar në vijim Talo Çela, i ka dërguar Franc Çopjas një mesazh duke i thënë se: “…ishalla s’ka prova të tjera për Rinasin, ja hodha unë…”.

Për ngjarjen e grabitjes spektakolare të 4.6 milionë euro në mes të aeroportit kombëtar të Rinasit, në prill të vitit 2019, Gjykata e Posaçme dha vendimin në muajin Tetor 2023, duke dënuar me 122 vite burgim për 7 të pandehurit e grupit kriminal.

Numri dy i bandës, Klement Çala, do të qëndrojë pas hekurave për 20 vite, ndërsa për gjashtë të tjerët të arrestuar për grabitjen: Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Cela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala, trupa gjykuese dha nga 17 vite burg për secilin.

Dënimet janë më të ulëta se ato të pretenduara nga Prokuroria e Posaçme, e cila për Klement Çalën kërkoi 24 vite burg, ndërsa për gjashtë të pandehurit e tjerë nga 19 vite.

Ndërsa i akuzuari si pjesë e bandës është edhe Talo Çela, por gjykimi për të vijon të jetë i ndarë sepse ai është ende në arrati, duke u zhvilluar në mungesë.


Shtuar 11.10.2024 11:29