Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka thënë se ka takuar “çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një shefi të ri të SPAK-ut”.
Në një postim në Twitter, Kim shkruan se procesi nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet. Ajo thekson se institucionet e drejtësisë duhet të jenë të pavarura dhe gjyqtarët e prokurorët të barabartë para ligjit.
Ambasadorja shton gjithashtu se SHBA do të monitorojnë nga afër procesin e përzgjedhjes në SPAK.
Reagimi i plotë:
Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një shefi të ri të SPAK-ut, i cili – pa frikë e favor – do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura.
Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kërkesë për anëtarësimin në BE; është kërkesa e drejtë e popullit shqiptar. SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë.
Ne do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes së SPAK-ut për të siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara.