Vrau të bijën dhe fqinjin italian dhe më pas bëri video, Matteo Salvini këkron dënim maksimal për shqiptarin
Vrasja e 16-vjeçares shqiptare Jessica Malaj dhe e italianit Massimo De Santis, 51 vjeç, ka tronditur mbarë opinionin publik, në Itali e Shqipëri.
Në një postim në rrjetet sociale, ai shkruajti: “Një lutje për Jessica-n, e cila vdiq në moshën 16-vjeçare nga dora e atij që nuk mund të quhet baba, por vetëm një kriminel i neveritshëm. Për të pres dënimin maksimal”.
Autor i masakrës së dyfishtë është pikërisht babai i 16-vjeçares, Taulant Malaj. Ngjarja e rëndë ndodhi në apartamentin ku jetonte familja shqiptare në Torremaggiore në provincën e Foggia, ndërsa sa i përket motiveve, mediat fqinje shkruajnë se bëhet fjalë për xhelozi.
Xhelozia ishte pikërisht për fqinjin italian, të cilin e vrau të parin duke e goditur me thikë.
Në foto Massimo De Santis Më pas shkoi tek bashkëshortja e tij Tefta Malaj, 39-vjeçe. Pikërisht gjatë kësaj kohe ndërhyri vajza e çiftit, Jessica, e cila në tentativë për të mbrojtur të ëmën, gjeti po ashtu vdekjen. Tefta Malaj mbeti e plagosur dhe ndodhet në spital.
Pas masakrës, Malaj bëri një video ku tregonte krimin që sapo kishte bërë. Videon ia nisi të njohurve. Pamjet, siç shkruajnë mediat fqinje, janë të tmerrshme dhe kanë sjellë shumë reagime.
Në këtë video, bashkëshortes së plagosur i drejtohet në shqip, ndërsa shfaqet me trupin e pajetë të 51-vjeçarit Massimo De Santis.
“E shihni këtë këtu, ai është italiani. E kam falur njëherë gruan time, ky është i dyti”, raportohet se thotë Malaj në video.
“E thera (i referohet italianit), i vrava të tre, edhe familjen time. Shihni këtu”, vijon ai, duke fyer bashkëshorten e cila e plagosur krah trupit të pajetë të vajzës 16-vjeçare, i lutej për mëshirë.
Më pas, duke bërtitur, Malaj pyet ku është “i vogli”, duke iu referuar djalit 5 vjeç që nuk e gjeti në shtëpi, e që sipas hetuesve po e kërkonte për ta vrarë: “Nuk kam mbaruar punë ende, nuk ka ardhur askush, as policia”, shton autori i masakrës.
Kryebashkiaku i Torremaggiore, Emilio Di Pumpo, apeloi për respekt ndaj familjeve të prekura nga kjo ngjarje e rëndë, duke kërkuar nga të gjithë ata që i kanë këto pamje që t’i fshinin.