Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 30 ditë për dy autorët e dyshuar të vrasjes së ish-deputetit Pashko Ujka që u ekzekutua në Shkodër disa ditë më parë.
Kristian Kelmendin dhe Marian Kolën, u ndaluan dy ditë më parë, ndërsa më vonë iu komunikua edhe arrestimi. Të dy ata do të duhet të qendrojnë në qeli deri sa Prokuroria të mbyllë dosjen hetimore dhe ta dërgojë për gjykim, e cila do të vendosë për fatin e mëtejshëm të tyre.
Ndërkohë, avokatët e të arrestuarve kanë pretenduar pafajësinë e tyre duke theksuar se në momentin e vrasjes dy të akuzuarit kanë qenë në Kosovë. Në lidhje me shenjat e barutit të gjetur në duart e Kristian Kelmendit, avokatët janë shprehur se gjatë asaj dite ata kanë qenë në një poligon qitjeje në Kosovë ku edhe kanë qëlluar me armë.
Për këtë shkak ata kanë kërkuar edhe verifikimin e pamjeve filmike nga poligoni në fjalë.
Ujka u akzekutua me armë me silanciator tre ditë më parë, dhe policia dyshon se ngjarja ndodhi pas një konflikti për çështje pronësie mes tij dhe dy të të akuzuarve.