Vrasja e dyfishtë në Elbasan, shoqërohen në polici 25 persona

Mbrëmjen e djeshme Elbasani u trondit nga një ngjarje e rëndë. Dy persona u vranë me armë zjarri në hyrje të qytetit, pranë një karburanti, ndërsa po hynin në një bar kafe.

Autorët e kësaj ngjarjeje ishin të maskuar. Ata kanë pritur shënjestrën dhe kanë qëlluar nga makina, e më pas janë larguar me shpejtësi.

Viktimat e kësaj ngjarjeje ishin Ardian Çollaku (Subashi) dhe Lulzim Bitri, të dy persona me precedentë të mëparshëm.

Bitri dhe Çollaku, u ekzekutuan me të paktën 15 plumba dhe në lidhje më këtë ngjarje deri më tani janë shoqëruar 25 persona.

Pas ngjarjes një makinë “Volvo” është gjetur e djegur në afërsi të Metalurgjikut, e cila dyshohet të jetë e autorëve të ngjarjes.

Kush janë viktimat?

Ardian Çollaku, 50 vjeç, i dënuar me burg me 23 vite e dy muaj për për veprat penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”  në Itali. Ai gjithashtu ka qenë edhe subjekt i OFL  ku vitin e kaluar së bashku me 3 persona të tjerë u është kërkuar deklarimi i pasurisë.

Ndërkohë Lulzim Bitri, 43-vjeç, nga Elbasani po ashtu është një person me precedent të mëparshëm penal, pasi akuzohet për vrasjen e një personi në Tetovë të Maqedonisë së veriut në 2018. Vrasja ndodhi pas përplasjes mes dy grupeve kriminale.

Lidhjet me grupet kriminale:

Ardian Çollaku (Subashi) është hetuar për vrasjen e Everest Çakaj që ndodhi më 11 maj të këtij viti, në të cilën dyshohet se ka pasur lidhje direkte. Nga hetimet ka rezultuar që pas dënimit në Itali, Çollaku vidhte automjete dhe ua shiste grupeve kriminale për të kryer vrasje.

Po kështu dyshohet se ka bashkëpunuar dhe me grupin e Dubait dhe të Erion Alibejt, i cili është vëllai i Endrit Alibejt, që mbeti i vrarë në “Masakrën e Bradasheshit” në vitin 2018.

Erjon Alibej nga ana tjetër dyshohet se është porositësi i dy vrasjeve që ndodhën vitin e kaluar në Elbasan.

Nga ana tjetër, viktima Lulzim Bitri rezulton lidhje e fortë e Talo Çelës, një nga miqtë më të afërt të tij. Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.

Talo Çela akuzohet për vrasjen e vëllezërve Haxhiaj, si dhe atë të Anxhelo Avdias dhe Dorian Shkozës. Po kështu është i dyshuar për grabitjen e Rinasit./albeu.com