Policia italiane ka arrestuar një 30-vjeçar italian, si i akuzuar për vrasjen e biznesmenit shqiptar, Fatmir Ara.
30-vjeçari italian nga Mathi, identiteti i të cilit ende nuk është bërë me dije nga mediat italiane u arrestua mbrëmë.
43-vjeçari u gjet i vrarë të dielën në zonën e Torinos.
Autopsia, e kryer dje, konfirmoi se ai ishte vrarë me të paktën tre të shtëna arme në fytyrë. Për momentin nuk dihet nëse i arrestuari ka vepruar i vetëm apo me bashkëpunëtorë apo cili ka qenë motivi i ngjarjes.
Viktima ishte në arrest shtëpiak, pasi ishte akuzuar për menaxhim të shitjes së drogës në Ciriè dhe rrethinë. Pista kryesore e policisë është ajo e larjes së hesapeve mes bandave, ndërkohë që pritet që përfundimi i hetimeve të zbardhë më shumë të dhëna.
Policia është përqendruar dhe në të shkuarën e tij, nga precedentë të ndryshëm penalë dhe ato nuk përjashtojnë asnjë pistë, veçanërisht atë të drogës dhe larjes së hesapeve.