Vrasja e Anastas Qatos në 2015 në Belgjikë, nis gjyqi për Mikel Mehmetajn: Qëllova për vetëmbrojtje

46 vjeçari shqiptar, Mikel Mehmetaj, ka dalë para Gjykatës në Bruksel nën akuzat për vrasje dhe tentativë vrasje në ‘Rue de Malines’ në Belgjikë.

Në deklaratat e dhëna prej tij, ai pretendon se ka qëlluar për t’u mbrojtur pasi është goditur me thikë.

 “Nëse nuk shkova në spital apo në polici ndodhi se kisha frikë”, mësohet se deklaroi i akuzuari para Gjykatës së Assistencës së Brukselit.

46-vjeçari shqiptar, akuzohet për vrasje dhe tentativë vrasjeje pasi qëlloi dy persona jashtë një kafeneje në Rue de Malines në shtator 2015.

Gjatë seancës juristët dhe palët në gjykim i bënë të akuzuarit pyetje të ndryshme. Disa anëtarë të jurisë i kërkuan atij detaje në lidhje me armën që posedonte dhe lëndimet që ai tha se kishte pësuar.

“Po, unë dija të mbaja armën, sepse në Shqipëri kishte luftë”, tha Mikel Mehmetaj, duke shtuar “para se të përdorja armën, kam marrë dy plagë me thikë në gjoks. Nëse nuk shkova në spital apo në polici, ishte nga frika, duke ditur se nga vija, domethënë nga Shqipëria”.

I akuzuari ka treguar gjithashtu se ka punuar si truprojë e personit të quajtur Kristo, pronar i kafenesë “Au DM”, përballë së cilës kanë ndodhur ngjarjet, raportojnë mediat e huaja.

Ai tha se për këtë detyrë paguhej disa qindra euro në muaj dhe se arma që ka përdorur për të qëlluar mbi viktimat është e Kristos.

Ndërkohë, sipas informacioneve dhe raportimeve të deritanishme nga mediat e huaja, gjykata nuk ka marrë ende një vendim për Mikel Mehmetajn, pasi gjyqi do të vijojë.

Ngjarja

Më 26 shtator 2015 rreth orës 08:20, një patrullë nga zona e policisë Bruksel-Capital/Ixelles u njoftua për të shtëna me armë para kafenesë “Au DM”, në Bruksel. Një burrë, Anastas Qato, ishte shtrirë në tokë. Ai kishte marrë disa plumba në gjoks dhe vdiq nga plagët e marra. Nga të shtënat me armë ka mbetur i plagosur rëndë edhe vëllai i këtij të fundit, Artani.

Sipas dëshmive gjatë hetimeve, personi i quajtur Vani, Mikel Mehmetaj si dhe Anastas dhe Artan Qato që të katër punonin në disa kafene, mes të cilave edhe “Au DM”, në pronësi të personit të quajtur Kristo. Dyshohet se këto lokale shërbenin veçanërisht për të mbuluar apo justifikuar të ardhurat që vinin nga trafiku i drogës.

Në janar 2019, hetuesit identifikuan një të dyshuar bazuar në informacionet e autoriteteve shqiptare. Ishte Mikel Mehmetaj, i njohur për trafik droge. Më pas ai u shtrua në spitalin e Tiranës, pasi mbeti i plagosur nga një tentativë vrasjeje.

Më 20 tetor 2020, Mikel Mehmetaj u arrestua në Maqedoninë e Veriut dhe më pas u transferua në Belgjikë. Ai ka rrëfyer se është autori i të shtënave që vranë Anastas Qaton dhe plagosën Artan Qaton dhe se veproi për të mbrojtur veten pasi u godit me thikë.

“Nuk shkova për mjekim në Bruksel”, tha ai, “dhe u largova në Shqipëri”.


Shtuar 8.09.2024 22:56