Detaje të reja kanë dalë në dritë, lidhur me vrasjen e 39-vjeçarit shqiptar Bledar Dedja në Itali, ku dyshohet është vrarë si pasojë e një krimi pasioni.
Këtë të mërkurë, mediat italiane kanë publikuar rezultatet e autopsisë, që vërtetojnë dyshimet se shqiptari humbi jetën si pasojë e një goditje të marrë në mushkëri, goditje që i erdhi nga pas.
Dedja u godit mbi 20 herë me thikë mbrëmjen e së shtunës.
Kjo është edhe nata kur ndërroi jetë, e konfirmuar tashmë edhe nga ekspertiza mjeko-ligjore.
Ai u gjet i pajetë mëngjesin e së dielës në një pyll të Paderno del Grappa, në Asolo të Treviso-s.
Nga rezultatet e autopsisë konfirmohen disa detaje: Pjesa më e madhe e plagëve u shkaktuan gjatë tentativës së 39-vjeçarit për t’u vetëmbrojtur.
Pikërisht fakti se pjesa më e madhe e plagëve janë sipërfaqësore, për hetuesit janë tregues se autor i krimit ka qenë një person i vetëm dhe shanset që të ketë qenë një person i dytë janë të pakta, pasi do të kishte ndërhyrë në mënyrë që ta neutralizonte.
Sa i përket armës së krimit, ajo është një thikë e përmasave të mëdha.