Këtë të mërkurë, Gjykata e Durrësit, ka dënuar me burgim të përjetshëm Hysen Metën, i shpallur fajtor për vrasjen e babait të tij, Pëllumb Metës, ngjarje e ndodhur më 10 shkurt 2024 në Shënavlash.
Sipas hetimeve, Hysen Meta, qëlloi për vdekje babanë pas një konflikti në familje dhe më pas, me ndihmën e të afërmve, fshehu kufomën në një stallë pranë banesës.
Gjykata dënoi gjithashtu:
Hygerta Meta me 8 vite burg, e shpallur e pafajshme për vrasjen, por fajtore për ndihmë pas krimit;
Amarildo Meta me 5 vite burg;
Blerina Meta, nënën e tyre, me 3 vite burg.
Mbrojtja kërkoi dënime më të lehta dhe ndryshim të akuzave, por gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke e cilësuar ngjarjen si “vrasje të qëllimshme për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Si ndodhi krimi:
Sipas organit të akuzës më 10 Shkurt 2024, viktima Pëllumb Meta, mësohet se ka lënë punën dhe është kthyer në banesë në orët e para të mëngjesit.
Ndërsa rreth mesditës, teksa i ndjeri ka qenë në kuzhinën e banesës, djali i tij Hysen Meta, në prani edhe të të pandehurës Hygerta, ka marrë pistoletën duke qëlluar në drejtim të babait të tij katër herë.
Një prej plumbave nuk ka prekur trupin e viktimës, ndërkohë që tre prej tyre, një në kokë dhe dy në trup kanë rezultuar fatal duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Të dy të pandehurit më pas kanë kryer veprime jo vetëm për të zhdukur gjurmët e vrasjes nëpërmjet stukimit të vrimës në mur, spostimit të divanit në të cilin ka qenë i shtrirë viktima, kanë vazhduar nme mbështjelljen e trupit, groposjen e trupit të viktimës në kasollen e bagëtive e cila ndodhej disa metra larg banesës dhe më pas kanë vijuar me largimin automjetit nga banesa, zhdukjen e sendeve personale të viktimës si dhe zhdukjen e armës së krimit, informon Prokuroria.
Pas kryerjes së krimit, janë siguruar se të gjitha gjurmët që janë fshehur nga Hysen Meta.
Ai ka bërë kallëzim në polici duke paraqitur zhdukjen e babait si largim nga banesa me vullnetin e tij.
Gjatë gjykimit Hygerta Meta, është e vetmja nga të pandehurit që ka dhënë pëlqimin për t’u pyetur, ku ka deklaruar se babain e ka vrarë vëllai i saj Hysen Meta në prani të saj.
Ndërkohë në mometin e kryerjes së vrasjes, djali i vogël i familjes, Amarildo Meta ka qenë në punë.