Kanë mbërritur në gjykatën e Korçës për t’u njohur me masën e sigurisë tre të arrestuarit për vrasjen e Martin Çeços.
Tre autorët e dyshuar të vrasjes pritet të njihen me masën e sigurisë dhe vleftësimin e arrestit.
Blutë arrestuan të shtunën tre personat që dyshohet se janë autorët e krimit, shtetasit Bleti Angjo, Valter Mollaj dhe Edlir Mollaj.
Mes tyre dhe viktimës dyshohet të ketë pasur grindje dhe “molla e sherrit” ka qenë një vajzë. Dyshohet se vajza për të cilën është vrarë 26-vjeçari ka qenë në lidhje paralele me një nga autorët.
Autorët mësohet se e kanë mbytur të riun dhe kanë hedhur trupin e tij në rezervuar, për të mbuluar ngjarjen dhe për të inskenuar një vetëvrasje të 26-vjeçarit.
Autorët kishin lënë buze rezervuarit shapkat e të riut, por shenjat e litarit që ai ka pasur në fyt kanë bërë hetuesit të besojnë se ai nuk ishte vetëmbytur, por ishte vrarë.
“Shërbimet e Policisë, pasi kanë nxjerrë nga rezervuari trupin e pajetë të 26-vjeçarit Martin Çeço, kanë krijuar dyshime se bëhej fjalë për një ngjarje kriminale, duke qenë se gjatë këqyrjes, në trupin e 26-vjeçarit, janë konstatuar shenja në pjesën e fytit.
Falë punës profesionale hetimore, provave dhe informacioneve të grumbulluara nga grupi hetimor, u dokumentua se tre shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 12.06.2022, kanë marrë viktimën Martin Çeço, në fshatin Kolanec, dhe pasi e kanë vrarë (mbytur), për motive të dobëta, kanë hedhur trupin e tij në rezervuar, për të mbuluar ngjarjen dhe për të inskenuar një vetëvrasje të 26-vjeçarit”, tha policia.