Situata në lumin Vjosa po përkeqësohet me rreshjet e shumta të ditëve të fundit dhe situata rrezikon të dalë jashtë kontrollit.
11 familje që banojnë në afërsi të lumit Vjosë janë evakuar orët e fundit pas rritjes shqetësuese të nivelit të lumit. Deri tani, niveli i Vjosës ka arritur kuotën 7.2 m në Vlorë.
Kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli ka zbritur në terren dhe bëri me dije se po monitorohet niveli i ujit të lumit jo vetëm në Vlorë, por dhe në Gjirokastër e Tepelenë.
“Aktualisht niveli i Vjosës është 7.2 metër është në një pikë kritike, por prej më shumë se një ore nuk po rritet më. Të gjithë familjet që kanë shtëpinë afër bregut të lumit, ashtu edhe blegtorët janë larguar nga zonat me rrezik, pasi janë informuar në kohë. Jemi të gjithë në territor për të bërë maksimumin.
Shirat vazhdojnë akoma siç e shikoni, megjithatë situata do vlerësim, po japim maksimumin për ta normalizuar”, deklaroi kryebashkiaku i Vlorës.
Më tej, Leli foli dhe për nivelin e lumit të Vjosës në Tepelenë, Memaliaj, Përmet dhe Shushicë.
“Në zonën e Tepelenës dhe Memaliajt niveli i Vjosës është 7,5 metër, në Përmet 6,8 ka një rënie të lehtë 20 cm. Në Shushicë, për fat të mirë ka një tërheqje të ujërave nga Fushat e Llakatundit, të cilat janë larguar në pjesë më të madhe të tyre”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Vlorës.
Më herët, kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, paralajmëroi banorët se kushtet e motit do të përkeqësohen mbrëmjen e sotme gjatë intervalit kohor 21:00-22:00. Nëse situata del jashtë parashikimit, ai bëri me dije se do të kërkohet ndihma e forcave ushtarake./albeu.com/