Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula, ka ngritur shqetësime për gjendjen e arsimit në Shqipëri.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Sula paralajmëron se ky vit shkollor po nis me një thellim të braktisjes masive të arsimit, duke përmendur mbylljen e 295 shkollave 9-vjeçare gjatë periudhës 2013-2022, çka përbën 22% të institucioneve arsimore të detyruara në vend.
Sula theksoi se këto të dhëna zyrtare të INSTAT-it, përforcojnë një tablo të zymtë të gjendjes arsimore në vend, që sipas saj përkeqësohet edhe më shumë kur merret parasysh mbyllja e institucioneve të arsimit parashkollor dhe të mesëm të lartë. Ajo identifikoi një sërë faktorësh që, sipas saj, kanë kontribuar në këtë situatë, përfshirë emigrimin e lartë, pagat e ulëta të mësuesve, mungesën e infrastrukturës digjitale dhe financimin e pamjaftueshëm të sistemit arsimor.
Sula gjithashtu e vuri theksin te rënia e rezultateve të Shqipërisë në testin ndërkombëtar PISA 2022, ku nxënësit shqiptarë u renditën ndër më të dobëtët në botë për mendimin krijues. Ajo krahasoi financimin aktual të arsimit me periudhën para viteve 1990, duke kritikuar “Rilindjen” për financimin e pamjaftueshëm dhe përkeqësimin e cilësisë së arsimit.
Në përfundim, Sula premtoi se Partia Demokratike do të punojë për ta rikthyer arsimin në nivelin që i takon dhe për të përmirësuar statusin e mësuesve, duke e shpallur arsimin si prioritet kombëtar. “Është detyrim ligjor, mision profesional dhe human”, theksoi ajo, duke nënvizuar angazhimin e PD-së për të siguruar një arsim cilësor dhe të barabartë për të gjithë fëmijët shqiptarë.