VIDEO+FOTO/ Berisha del si Papa, Noka, Salianji dhe Nallbati futen te “kecat” nga dritarja: Pamje të papërsëritshme nga Kuvendi i Shqipërisë

Janë skena të papërsëritshme ato që po ndodhin tani në selinë e Kuvendit ku deputetët e përjashtuar demokratë kanë mundur të futen përmes formave të ndryshme në ambientet e brendshme të godinës.

Fillimisht Garda bllokoi derën duke mos lejuar futjen e deputetëve të përjashtuar në komisione.

Por gjatë tensioneve, Flamur Noka ka mundur të ngjitet mbi kangjella dhe të futet fillimisht brenda territorit të jashtëm të godinës.

Pas tij janë futur edhe Ervin Salianji dhe Bledion Nallbati. Të dy ata, bashkë me Nokën kanë shkuar më pas te dritarja e njërit prej komisioneve duke mundur të futeshin aty brenda nga dritarja pasi vunë këmbët në një karrige që i lëshuan kolegët demokratë nga sipër.

Noka, Nallbati dhe Salianji u ndihmuan për t’u ngjitur në dritare nga Xhelal Mziu dhe të tjerët.

Por, nuk zgjati shumë dhe Berisha doli në të njëjtën dritare me gishtat lartë. Ishte një pamje që i ngjan daljeve të Papës në Romë.

Pse ky tension

Dita e sotme ishte planifikuar me një axhendë të ngjeshur në komisione. Në rendin e ditës janë parashikuar mbledhja e 5 komisioneve parlamentare, ai i Ekonomisë, Ligjeve, Shëndetësisë, Politika e Jashtme dhe Veprimtaria Prodhuese ku kryefjalë është projekt-buxheti i vitit 2024.

Për shkak se opozita ka vendosur të bllokojë komisionet, PS vendosi që mbledhjet të zhvillohen online.

Për më tepër, ndiqni fotot:


Shtuar 6.11.2023 11:21