VIDEO/ Tensione para Kryesisë së Kuvendit, Garda nuk lejon demokratët të hyjnë në godinë, Noka kapërcen kangjellat

Deputetët e përjashtuar të opozitës nuk janë lejuar të hyjnë në Kuvend ditën e sotme, 6 nëntor. Kjo ka sjellë tensione para Kryesisë, me deputetët demokratë të cilët i kërkojnë punonjësve të Gardës që të hapin derën.

“Hap derën, kush je ti që pengon deputetët”, dëgjohet të thotë Gazment Bardhi.

Ndërsa Flamur Noka ka kapërcyer kangjellat dhe ka arritur që të hyjë në ambientet e brendshme të Kuvendit.

Ditën e sotme, Gazment Bardhi ka thirrur në një mbledhje grupin e deputetëve në Kryesinë e Kuvendit, dhe kjo ka bërë që të ketë tensione mes dy palëve.

Garda nuk ka lejuar të hyjnë në Kryesi 8 deputetët e përjashtuar për shkak të kaosit të krijuar në seancën e fundit parlamentare të 30 tetorit.

Për shkak të përplasjeve, janë në total 8 deputetë të opozitës të përjashtuar nga punimet e Kuvendit.

Të premten u përjashtuan me 10 ditë Ervin Salianji që ndezi tymuese rozë e mavi në seancë plenare, Petrit Doda dhe Edmond Spaho, ndërsa pas seancës me përplasje fizike të 30 tetorit u përjashtuan kreu i grupit Gazment Bardhi, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Flamur Noka, Albana Vokshi./albeu.com 

 


Shtuar 6.11.2023 10:26