VIDEO/ Babai im AZEM HAJDARI, kujtime të familjes nga Azemi i ri

Djali i Azem Hajdarit, liderit të Lëvizjes Studentore të viteve 1990–1991 që çoi drejt rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri, ka ndarë një rrëfim të rrallë dhe thellësisht emocional në emisionin “Elevate by Floriana Garo”

Mes kujtimesh të copëzuara nga fëmijëria dhe peshës së një mbiemri që ka shënuar historinë e vendit, ai foli për jetën e tij, për mungesën e babait dhe për trashëgiminë që mban mbi supe.

“Në moshën 3–4 vjeç, ajo që mbaj mend është se shtëpia jonë ishte gjithmonë plot. Familjarë, mbështetës demokratë, politikanë dhe truproja. Gjithmonë kishte njerëz”, tregon ai.

I rritur mes fotografish, kujtimesh dhe rrëfimesh për një baba që nuk arriti ta njohë, ai zbulon edhe një detaj pak të njohur: për dy muaj pas vrasjes së Azem Hajdarit, ai mbeti pa emër.

“Bëhet fjalë për dy muaj pas ndarjes së babait nga jeta. Vendosja e emrit nuk ishte prioritet”, shprehet ai.

Emri Azem do t’i jepej më vonë, në një moment simbolik që lidhet me kryedemokratin Sali Berisha.

“E mbaj mend doktor Berishën kur e pashë në një reportazh. Kur u pyet në maternitet, tha: ‘Azemi është gjallë’. Dhe aty më mbeti emri”, rrëfen ai.

Ai ndalet edhe te marrëdhënia e prindërve të tij, të cilët janë njohur në Tiranë, si dhe te raporti i ngushtë që Azem Hajdari kishte me Sali Berishën.

“Babi kishte disa gjëra që i donte shumë: lirinë e Kosovës, Ibrahim Rugovën dhe doktor Berishën. Ai kishte vlerësim të jashtëzakonshëm për të si mjek, kirurg, pedagog por mbi të gjitha për faktin që zgjodhi të rrezikonte gjithçka për të mirën e njerëzve”, thotë ai.
Sipas tij, lidhja mes Hajdarit dhe Berishës ishte më shumë se politike.

“Ata zgjodhën heroizmin dhe u bënë krah për njëri-tjetrin”, përfundon ai.

Një rrëfim që rikthen në vëmendje jo vetëm figurën e Azem Hajdarit, por edhe koston njerëzore të historisë dhe peshën e kujtesës që mbart brezi pasardhës.

PËR MË SHUMË NDIQNI VIDEON E MËPOSHTME


Shtuar 13.12.2025 21:41