Venko Filipçe zgjidhet kryetar i Lidhjes Social-Demokrate në Maqedoninë e Veriut

Venko Filipçe, u zgjodh kryetar i Lidhjes Social Demokrate të opozitës në Maqedoninë e Veriut. Ai do ta drejtojë Partinë deri në muajin mars të vitit të ardhshëm, por me gjasa për ta rifituar postin në kongresin që do të organizohet në pranverë.

Zoti Filipçe, aktualisht është deputet, ka qenë dhe ministër i Shëndetësisë, ndërsa është mjek neurokirurg me profesion. Ai njihet për afërsinë me ish-kryeministrin Zoran Zaev dhe për këtë shkak, një pjesë e delegatëve dhe analistëve parashikonin fitoren e tij brenda partisë.

Nga 23 mjë delegatët e LSDM-së, 54 përqind kanë dalë në votimet e së dielës. Filipçe mori pak mbi 9 mijë vota, rivali i tij Jovan Despotovski 2700 vota, ndërsa kandidati tjetër Aleksandar Bajdevski mori rreth 900 vota.

Deputetja dhe ish-ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, u tërhoq të shtunën nga gara. Venko Filipçe, ishte ministër nga fundi i vitit 2017 deri në janar të vitit 2022 kur dha dorëheqjen. Ai premton se do të jetë një drejtues politik, i cili bashkon e nuk bën ndasi, teksa thotë se politikat e VMRO-DPMNE-së në pushtet, do të jenë preokupimi i tij kryesor dhe LSDM-ja të jetë një opozitë e fuqishme.

Nuk kemi kohë për të festuar. Vijon një periudhë e riorganizmit dhe reformave, sipas premtimeve të mia programore për ç’ka jam i sigurt se LSDM-ja do të dalë fitimtare. Kjo nuk do të jetë e lehtë, por unë nuk di një mënyrë tjetër për ta kthyer besimin e anëtarësisë, përveç ndryshimeve të vërteta në themel”, u shpreh drejtuesi i ri socialdemokrat.

Ai tha më tej se partia do të jetë e hapur, moderne dhe e gatshme për sfidat që pasojnë.

“Do t’i kundërvihem fuqimisht atyre të cilët duan ta dobësojnë partinë në llogari të interesave të tyre personale”, theksoi zoti Filipçe, duke premtuar se do ta kthejë dinjitetin e partisë dhe duke porositur ata që shpresojnë për një të ardhme të keqe të saj, “se do të zhgënjehen thellë”.

Por, rivali i tij kryesor, Jovan Despotovski, e konteston legjitimitetin e zgjedhjeve të brendshme, sepse “mbi 10 mijë anëtarë kanë ngelur jashtë procesit zgjedhor, apo nuk janë lejuar të votojnë”, sipas tij.

Ndonëse e uroi zotin Filipçe, ai iu shpreh se “me 9 mijë vota nuk bëhesh lider”.

Lidhja Social Demokrate, pësoi një humbje të thellë në zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare të 24 prillit dhe 8 majit. Ajo ka vetëm 18 ligjvënës në parlamentin prej 120 vendeve. Ish-drejtuesi, Dimitar Kovaçevski, dha dorëheqje të parevokueshme pas humbjes së partisë në zgjedhjet e fundit./VOA