Vendosja e armëve bërthamore në Bjellorusi, Kina kundër Rusisë: Të fokusohemi te paqja!

Kina është shprehur kundër vendosjes së armëve bërthamore taktike në Minsk. Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme, Mao Ning, bëri thirrje që të gjitha palët të fokusohen te përpjekjet diplomatike për paqe, sipas mediave të huaja.

“Në situatën aktuale, palët përkatëse duhet të përqendrohen në përpjekjet diplomatike drejt një zgjidhjeje paqësore të krizës në Ukrainë dhe të përpiqen së bashku për t’i dhënë fund tensioneve”, tha Mao Ning, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Mao kujtoi se në janar të vitit 2022, liderët e pesë vendeve që kanë në zotërim armë bërthamore (SHBA, Kina, Rusia, Britania e Madhe dhe Franca), në një deklaratë kanë theksuar se “lufta bërthamore as nuk mund të luftohet dhe as nuk mund të fitohet.”

Kujtojmë se në fundjavë, lideri rus njoftoi se ndërtimi i depos së armëve taktike bërthamore në Bjellorusi do të përfundojë më 1 korrik. Putin akuzoi Perëndimin se është duke kaluar çdo vijë të kuqe duke i dërguar armë Ukrainës.

Josep Borrell reagoi duke njoftuar se BE-ja është gati të përgjigjet me sanksione të mëtejshme. Megjithatë, SHBA-ja thotë që nuk ka ende ndonjë indikacion që Rusia të ketë transferuar armë nukleare në Bjellorusi./Albeu.com/


Shtuar 27.03.2023 15:15