Policia e Vlorës ka sqaruar përmes një komunikate për shtyp ngjarjen e ndodhur mbrëmë në Lungomare, ku disa biznese, vendosën muzikë jashtë orës policore, ndërsa pati edhe të shoqëruar. Burime zyrtare bënë me dije se është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë dhe është proceduar penalisht administratori i një subjekti.
Ndërkohë dy të tjerë janë proceduar penalisht pasi kundërshtuan mbylljen e muzikës dhe nuk i’u bindën urdhrit të punonjësit të Policisë. Disa lokale në zonën e Ujit të Ftohtë, në shenjë proteste kundër masave të qeverisë, vendosën himnin kombëtar para orës policore, por edhe pas saj.
NJOFTIMI I POLICISË
Në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, gjatë kontrolleve kanë konstatuar një subjekt në lagjen “Uji i Ftohtë”, i cili vijonte organizimin me muzikë pas orarit të përcaktuar.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, shtetasit:
K. Xh., banues në Vlorë, administratori i subjektit, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për mbylljen e muzikës, duke vijuar organizimin e aktivitetit me muzikë, pas orarit të përcaktuar për mbyllje;
S. Xh., banues në Tiranë, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për mbylljen e muzikës;
E. T., banuese në Vlorë, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë gjatë ushtrimit të detyrës.
Gjithashtu, për subjektin është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë, për shkelje të orarit të përcaktuar në aktin normativ, për zhvillimin e aktiviteteve.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.