Vendimi i Strasburgut për 21 janarin, Rama: Vrasja ka mbetur pa autor, drejtësia e re të reagojë

Kryeministri i vendit, Edi Rama ditën e sotme ka zhvilluar një konferencë me gazetarët. Ai ka komentuar vendimin e Gjykatës së Strasburgut për 21 janarin.

Gjykata e Strasburgut doli në përfundimin se ka dy shkelje në këtë çështje: vrasja dhe më pas moszbardhja e krimit.

Po ashtu në vendimin e argumentuar të Strasburgut thuhet se ka pasur shkelje të detyrimit procedural dhe të pjesës thelbësore të nenit 2 të Konventës, shkelje të dy aspekteve të së drejtës së jetës.

Gjykata e të Drejtave të Njeriut sqaron se autoritetet kanë dështuar që të kryejnë një hetim efektiv dhe se gjatë protestës politike sipas saj, u përdor në mënyrë të pajustifikuar forca vdekjeprurëse.

Rama tha se tani ka ardhur koha që drejtësia e re të reagojë.

Rama: Është koha që drejtësia e re të reagojë, sepse qëkur ky krim ka marrë rrugët e gjykatave dhe prokurorive të vendit ka ndryshuar struktura e sistemit të drejtësisë dhe personalitetet apo profilet e zyrtarëve të lartë hetohen nga një tjetër strukturë. Leximi i vendimit të Gjykatës është si të lexosh një rrëfim të stërpërsëritur prej nesh në vite. Vendosja e gishtit drejtpërdrejt te autoritetet ekzekutive të kohës është e shkruar e zeza mbi të bardhë, jo vetëm për krimin e vrasjes që ka mbetur pa autor sepse vrasja nuk ka nisur nga tërheqja e këmbëzës së automatikut, por na urdhri që ka ardhur nga maja, por nga ana tjetër gjykata nënvizon, vë gishtin edhe të krimi i pengimit të drejtësisë. Autoritetet ekzekutive më të larta të vendit kanë penguar në mënyrë brutale drejtësinë që të reagojë dhe të veprojë në kohë reale për të nisur zbardhjen e këtij krimi.

Rama tha se nëse 21 janari mbetet në ajër, atëherë edhe themeli i ri i drejtësisë, që sipas tij sapo ka nisur të ndërtohet, nuk e mban dot të gjithë peshën e jashtëzakonshme të misionit që ka drejtësia në një vend demokratik.

Sipas tij, bë vendin tonë askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk mund ta ushtrojë pushtetin e përkohshëm për të marrë jetë njerëzish të pafajshëm.

/albeu.com 


Shtuar 24.11.2023 14:11