Vdes fëmija, tetë të zhdukur pas fundosjes së barkës së emigrantëve në brigjet e Lampedusa

Një vajzë dy vjeçare ka humbur jetën ndërsa tetë të tjerë janë të zhdukur pasi një barkë me rreth 50 emigrantë që kalonte detin Mesdhe, u fundos mbrëmë në brigjet e ishullit italian të Lampedusa, thanë autoritetet vendase.

Roja bregdetare italiane e ndihmuar nga një peshkarexhë, tha se kishte arritur të shpëtonte 42 persona, mes të cilave ishte dhe fëmija që vdiq më vonë, njoftonte ministri i brendshëm italian Antonio Tajani.

Kombësia e fëmijës nuk është publikuar.

Të mbijetuarit tregojnë se tetë njerëz janë të humbur, duke bërë që kërkimet të vijojnë me mjete lundrimi dhe helikopterë. Zyrtarët thanë se mes të humburve janë dy të mitur.

Lampedusa ka parë një rritje të mbërritjeve të barkave të emigrantëve ditët e fundit, teksa 11 mjete erdhën vetëm të hënën, mes të cilave një peshkarexhë me më shumë se 500 njerëz nga Maroku, Pakistani, Siria Iraku e Bangladeshi, çka tregon se trafiku i emigrantëve është mjaft i organizuar.

Vetëm këtë vit rreth 150,000 emigrantë kanë mbërritur në Itali, në krahasim me 94,000 në të njëjtën periudhë të vitit 2022, sipas të dhënave të fundit italiane.

Më 6 nëntor qeveria njoftoi planet e hapjes së qendrave të pritjes në Shqipëri, çka kryeministrja Giorgia Meloni, e quante ‘marrëveshje historike’ me Tiranën.

Marrëveshja përfshin krijimin e qendrave të strehimit me rreth 3,000 azilkërkues që mblidhen ne det dhe nuk mbërrijnë në tokën italiane, shkruan rrjeti britanik The Guardian.

Tajani shtoi se së shpejti do të prezantojë ligjin për marrëveshjen me Tiranën, duke thënë se “emigrantët do të marrin të njëjtin trajtim sipas rregullave italiane dhe evropiane”.

Komisionerja e BE, Ylva Johansson, tha se marrëveshja nuk shkel rregullat e BE pasi është jashtë jurisdiksionit të BE.


Shtuar 22.11.2023 07:36