Vdekja e Lear Kurtit, PD: Ardi Veliu manipuloi provat, Avokatit të Popullit nuk i dhanë pamjet e kamerave

Paria Demokratike ka reaguar në lidhje me raportin e Avokatit të Popullti për vdekjen e Lear Kurtit, në të cilin thuhej se tragjedia mund të ishte shmangur dhe se policia nuk ndërhyri në kohë.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD, Floriana Garo tha se vdekja e Lear Kurti lidhet direkt me veprimet e policisë ndaj tij dhe akuzoi Ardi Veliun se falsifikoi dhe manipuloi provat rreth vdekjes së të riut.

Deklarata e plotë:

Avokati i Popullit, në një raport për vdekjen e 32 vjecarit Lear Kurti, hedh poshtë pretendimet e Policisë dhe përligj qëndrimet e Partisë Demokratike, që e ka konsideruar që në fillim “krim shtetëror” vdekjen e të riut.
Avokati i Popullit konkludon:
Së pari, vdekja e Leart Kurtit lidhet direkt me veprimet e policise ndaj tij dhe së dyti, Ardi Veliu fshehu, falsifikoi dhe manipuloi rrethant e vdekjes së te riut Leart Kurti.
Në raport thuhet se vdekja e Kurtit mund të parandalohej nëse punonjësit e Policisë do të kishin kryer veprimet e duhura.
Po sipas Avokatit të Popullit, shoqërimi i të riut ka qenë në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi nuk mund të bëhet shoqërimi i një personi duke u mbështetur në dyshime të paarsyeshme.

Sikundër denoncohet edhe mosdërgimi i tij në spital.
Në këto rrethana, thekson raporti, punonjësit e Policisë kanë vepruar në kundërshtim me nenin 27 të Kushtetutës dhe nenit 5 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Gjithashtu raporti thekson se mungesa e procedurave dhe dokumentimit të shoqërimit në komisariat të të riut përbën shkelje të rëndë disiplinore.
Avokati i Popullit ngre shqetësimin për mosvënien në dispozicion të materialeve filmike të shoqërimit të Lear Kurtit.
Sipas raportit, pamjet janë siguruar nga materialet e publikuara në një emision televiziv.
Partia Demokratike kujton publikun se përpjekjet për të manipuluar ngjarjen kanë qenë intensive dhe janë dirigjuar nga Ardi Veliu dhe ministri i familjes Çuçi.

Këto të dhëna të Avokatit të Popullit dëshmojnë qartë se 32-vjeçari humbi jetën pas abuzimit dhe paaftësisë policore. Për më shumë bien ndesh të dhënat e raportit hedhin poshtë përfundimet e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, strofulla ku Ardi Veliu shtrembëron të vërtetat dhe përdhos edhe të vdekurit për t’i shërbyer shefave politikë të Rilindjes. Veliu i partisë konkludoi “se nuk ishin vërejtur veprime të kundraligjshme nga policët gjatë shoqërimit të 32-vjeçarit”.

 

 

Partia Demokratike, siç e ka theksuar që nga fillimi, e konsideron krim shtetëror vdekjen e të riut dhe inkurajon organet ligjzbatuese të cojnë para ligjit përgjegjësit kryesorë të fshehjes së të vërtetës dhe implikimit të Policisë në kundraligjshmëri, Ardi Veliu dhe Bledi Çuçi.
Lear Kurti është vetëm një prej të vrarëve dhe të dhunuarve, edhe pas vdekjes, nga Policia dhe pushteti. Klodian Rasha është shembulli më flagrant, më i dhimbshëm, më makabër i një policie që të vret pas shpine dhe të shpifet në sy të botës. Që është aty për të mbrojtur nga krimi dhe bëhet vetë sinonimi i kriminalitetit.


Shtuar 19.01.2023 13:58