Vdekja e dy adoleshentëve në Durrës, në pranga dy shoferët: Ishin tapë

Policia e Durrësit ka vënë në pranga dy shoferët që shkaktuan aksidentin tragjik të martën.

Sipas njoftimit zyrtar drejtuesi i automjetit, shtetasi Xhoni Muço ka qenë i dehur në timon kur ka përplasur motorcikletën e drejtuar nga Sokol Kovaçi, ku në të ishin edhe 4 fëmijët e tij.

Nga përplasje e fortë ndërruan jetë dy prej fëmijëve, ndërsa mësohet se Muço lëvizte nga Ura e Dajlanit në drejtim të Shkozetit me një mjet të modifikuar dhe pa targa.

Policia shton se pas testit të alkolit në gjendje të dehur ka rezuluar 22-vjeçari, por edhe drejtuesi i motorçikletës Sokol Kovaci, i cili humbi djalin e tij në këtë aksident.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. M., 22 vjeç dhe S. K., 47 vjeç, të dy banues Durrës, pasi më datë 08.02.2022, në mbrëmje, në rrugën “Bajram Tusha”, në lagjen nr.14, Durrës, 22-vjeçari, duke drejtuar mjetin në gjëndje të dehur është përplasur me një motomjet që drejtohej në gjendje të dehur nga 47-vjeçari dhe si pasojë ka humbur jetën në vendngjarje shtetasi F. K. dhe u dëmtua rëndë shtetasi D. H., i cili ka humbur jetën më vonë në spital. Gjithashtu, si pasojë e aksidentit kanë mbetur të dëmtuar shtetasit D. Q. dhe M. A., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. /albeu.com

 


Shtuar 10.02.2022 12:15