VAR ndez “El Clasico-n”, Ancelotti nuk e pranon humbjen: Kemi dyshime

Në kulim e debatit mbi gjyqtarët, “El Clasico”, sfida më e rëndësishme e futbollit spanjoll, vendoset sërish nga VAR, detaj që ka sjell jo pak polemika. Në “Camp Nou”, Barcelona hakmerret shpejt ndaj Real Madrid, në përballjen e dytë në La Liga, i thyen me rezultatin 2-1 duke e dërguar diferencën në plus 12 pikë pas javës së 26-të. Ekipi i Xavi-t praktikisht prek me njërën dorë titullin kampion.

Blaugranat treguan forcë karakteri pasi përmbysi rezultatin, në një kohë kur e gjeten veten në dizavantazh pas minutës së 9-të, Araujo i pafat devijoi topin në portën e tij. Në fundin e pjesës së parë ishte Sergi Roberto që brenda në zonë dërgoi topin në rrjetë duke barazuar shifrat në 1-1.

Në pjesën e dytë, Carlo Ancelotti nisi një mori zëvendësimesh, ndërsa në minutën e 81-të gjen rrugën e rrjetës me Asensio-n, por gjyqtari i takimit, me ndihmën e sistemit VAR, anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje, një vendim i fortë pasi bëhej fjalë për milimetra. Në fund, në minutën e 92-të, me një kundërsulm të shpejtë, Barcelona gjeti golin e fitoren me Kessie, një rezultat që vendos shumë për çështjen titull.

Carlo Ancelotti nuk e priti mirë këtë humbje duke ia faturuar pikërisht gjyqtarit të takimit: “Nuk jam i sigurt nëse ishte apo jo pozicion jashtë loje. Në Botëror ishte gjithçka më e qartë me pozicion jashtë loje gjysmë-automatik. Do të rikthemi në Madrid me shumë dyshime”, u shpreh Ancelotti.

Nuk i ka pritur mirë këto fjalë të Carlo Ancelottit trajneri i Barcelonës. Në konferencë për shtyp, Xavi shtoi se me VAR futbolli është më pak i komplikuar, për këtë arsye nuk dëshiron të flas.


Shtuar 20.03.2023 12:19