Ushtarët rusë të demoralizuar, një numër i madh po dezertojnë

Gjykatat ruse po dënojnë një numër në rritje rusësh për dezertim, duke sugjeruar se morali i ushtarëve rusë është i ulët, sipas vlerësimit të fundit nga Ministria Britanike e Mbrojtjes.

“Refuzimi për të luftuar ndoshta reflekton mungesën e trajnimit, motivimit dhe situatave të stresit intensiv të përjetuar nga forcat ruse përgjatë gjithë vijës së frontit ukrainas”, tha ministria në një postim në platformën X (ish-Twitter).

Analiza i referohet një raporti të 18 korrikut nga uebsajti i pavarur rus Mediazona se gati 100 ushtarë dënohen çdo javë për refuzimin e respektimit të urdhrave.

“Shkalla e lartë e dezertimeve tregon gjendjen e dobët të moralit në ushtrinë ruse dhe hezitimin e disave për të luftuar”, thuhet në raport.

Kjo ka pak ndikim në numrin e trupave, megjithatë, pasi Rusia kompenson humbjet e fuqisë punëtore duke dërguar në masë ushtarë të trajnuar dobët në front, zbuloi analiza.

“Që nga mobilizimi i pjesshëm i forcave ruse në shtator 2022, Rusia ka përshtatur qasjen e saj ndaj luftës duke përdorur (ushtarë) masivisht për operacionet e saj sulmuese dhe mbrojtëse”, përfundoi i njëjti burim.


Shtuar 30.08.2023 12:26