Tre ditë para se të përballej me hetuesit e SPAK për çështjen e inceneratorëve, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, la të kuptohej se vajtja e tij në Prokurorinë së Posaçme, do të ishte vullnetare.
Verifikimet e Faktoje tregojnë se në fakt, Veliaj ishte i detyruar të paraqitej në SPAK mëngjesin e 30 prillit.
Esmeralda Topi
Përballjen e tij të parë me hetuesit e SPAK lidhur me çështjen e inceneratorit të Tiranës, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, e lajmëroi gjatë një interviste televizive.
Por vajtjen e tij në Prokurorinë e Posaçme, Veliaj u kujdes ta cilësonte si vullnetare dhe jo të detyrueshme.
“…sa të pres që SPAK-u dhe institucionet e tjera, le të themi, me procedurat dhe vonesat e postës, ta bëjnë gjithë këtë komunikim, më mirë shkoj vetë, bëj një kronologji të gjithë këtyre situatave dhe mendoj se qasja proaktive na ndihmon të dyja palëve”, deklaroi ai ndër të tjera, tre ditë përpara se të kalonte pragun e SPAK-ut.
Verifikim
E vërteta është se teksa përpiqej t’i mëshonte vullnetit të mirë personal për tu paraqitur në SPAK, Veliaj kishtë marrë një udhër nga Prokuroria e Posaçme. Vajtja e tij në këtë institucion, ishte e detyrueshme dhe jo vullnetare.
Faktoje ka arritur të sigurojë dokumentin e fletë thirrjes që i ka mbërritur kryebashkiakut Veliaj në zyrën e tij, të mërkurën e 24 prillit.
Në dokument, shkruhet e zeza mbi të bardhë, se Erion Veliaj duhet të paraqitej në Prokurorinë e Posaçmë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 30 prill në orën 10:00, si person në dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës.
“Në rast mosparaqitjeje, ditën dhe orën e caktuar, pa pasur pengesa të ligjshme, paralajmërohemi se në bazë të nenit 312/2 të Kodit të Procedurës Penale, do të urdhërohet shoqërimi juaj i detyrueshëm nga Policia Gjyqësore”,– paralajmëron SPAK.
Urdhër për thirrjen e Erion Veliajt në SPAK
Në këto kushte, kryebashkiaku i Tiranës, u paraqit të martën e 30 prillit në SPAK për të dëshmuar lidhur me çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Dëshmia e tij brenda mureve të SPAK zgjati rreth 8 orë. Kur doli nga dyert e Prokurorisë së Posaçme, kryebashkiaku i Tiranës vijoi të këmbëngulte para gazetarëve se kishte shkuar si ‘bashkëpunëtor’, pasi kishte kohë që e kishte kërkuar vetë një takim.
Por kreu i SPAK, Altin Dumani, dha një version tjetër të paraqitjes së Veliajt në Prokurorinë e Posaçme.
“I është dërguar fletë-thirrje të mërkurën e javës së kaluar për t’u pyetur në cilësinë e deklaruesit si person që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës”, i tha Dumani kolegëve të BIRN.
Përfundim
Nisur nga verfikimet e kryera dhe informacionet e mbledhura, deklaratën e kryetarit të Bashkisë Erjon Veliaj, do ta kategorizojmë të pavërtetë./ Faktoje.al