Universiteti Western Balkans organizoi një ceremoni solemne me rastin e akordimit të titullit akademik “Doctor Honoris Causa” për z. Yohei Sasakawa, kryetar i Fondacionit Nippon, në vlerësim të lidershipit të tij vizionar dhe kontributit të jashtëzakonshëm në mirëqenien globale, përfshirjen sociale dhe dinjitetin njerëzor.
Ceremonia u zhvillua në ambientet e Universitetit Western Balkans në prani të përfaqësuesve akademikë dhe diplomatikë. Ndër të ftuarit e nderit ishin Ambasadori i Shqipërisë në Japoni, Sh.T. Z. Ermal Muça, Ambasadorja e Japonisë në Shqipëri, Sh.T. Znj. Kikuko Kato, rektorë të disa universiteteve, si dhe përfaqësues të botës akademike.
Në fjalën e hapjes Dr. Ornela Çuçi, Këshilltare për Marrëdhëniet me Jashtë pranë Universitetit Western Balkans, theksoi rëndësinë e këtij momenti jo vetëm për institucionin, por edhe për rolin që ai luan si një urë bashkëpunimi ndërkombëtar dhe promovues i vlerave universale.
Ndërkohë, Rektori i WBU, Prof. Dr. Ferdinand Gjana vlerësoi kontributin e veçantë të z. Sasakawa, duke theksuar përkushtimin e tij mbi katër dekada në luftën kundër lebrës dhe diskriminimit ndaj personave të prekur, si dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm për fuqizimin e personave me aftësi të kufizuara në të gjitha fushat e jetës.
Ambasadori Sh.T. Z. Ermal Muça ofroi një perspektivë diplomatike mbi marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë, duke theksuar se personalitete si z. Sasakawa janë urë lidhëse mes kulturave dhe model frymëzimi për bashkëpunim ndërkombëtar në shërbim të njerëzimit.
Ndërsa Ambasadorja japoneze, znj. Kikuko Kato, vlerësoi mikpritjen shqiptare dhe theksoi rëndësinë që Japonia i kushton figurave që mishërojnë idealin njerëzor. Ajo e konsideroi këtë titullin e dedikuar për Kryetarin e Fondacionit Nippon, si një akt që shkon përtej vlerësimit akademik dhe përfaqëson denjësisht rolin e z. Sasakawa në ndikimin global.
Në përmbyllje, z. Yohei Sasakawa mbajti një fjalim emocional dhe frymëzues, ku ndau rrugëtimin e tij jetësor, nga një fëmijëri e shënuar nga humbja dhe vështirësitë e pasluftës, drejt një jete të përkushtuar ndaj kauzave humanitare dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor. Ai shprehu mirënjohjen për këtë nderim të veçantë dhe përcolli mesazhe të forta për të rinjtë mbi rolin e empatisë, qëllimit dhe veprimit në ndërtimin e një bote më të drejtë.
Yohei Sasakawa, lindur në Tokio në vitin 1939, pas dy dekadave në sipërmarrje, i kushtoi jetën humanizmit. Ai ka bashkëpunuar ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, qeveri dhe organizata ndërkombëtare për eliminimin e lebrës dhe për mbrojtjen e të drejtave të njerëzve të prekur prej saj. Një ndër arritjet më të rëndësishme ishte rezoluta e OKB-së e vitit 2008, e miratuar njëzëri, që dënon diskriminimin ndaj personave të prekur nga lepra dhe familjarëve të tyre, një moment historik në mbrojtje të dinjitetit njerëzor.