Ditën e djeshme “Ullishta e Vjetër” e Elbasanit u përfshi nga flakët për rreth 12 orë.
Si pasojë e flakëve, janë shkrumbuar thuajse tërësisht rreth 10 hektarë të kurorës së gjelbër, pjesa më e madhe me ullinj shekullorë.
Në terren u aktivizuan 7 makina dhe 30 zjarrfikës, të cilët u ndihmuan në këtë betejë edhe nga bashkitë fqinje, ekipet e emergjencave dhe banorë të zonës për shuarjen e flakëve gjigande që u përhapën ne shpejtësi dhe u favorizuan edhe nga era dhe temperaturat e larta.
Zjarret në ullishtën e vjetër të Elbasanit u shfaqën mesditën e të dielës dhe vijuan duke u shtrirë nga periferia e qytetit drejt Tregut Agroushqimor deri te Fabrika e Çimentos.
Në disa zona ndërhyrja me mjete ishte e pamundur për shkak të terrenit të vështirë dhe u shfrytëzua ndërhyrja me mjete rrethanore.
Fatmirësisht falë forcave zjarrfikëse, zjarri është vënë nën kontroll.