Ukraina: Rusia ka goditur me raketa një kullë televizive në Kiev

Mediat ukrainase raportojnë se një kullë televizive pranë Rivne, në perëndim të Kievit, u dëmtua si rezultat i një sulmi me raketa ruse.

Sipas mediave, kreu i administratës rajonale të Rivne, Vitaliy Koval, tha se kulla ishte dëmtuar nga një sulm ajror rus.

Koval tha se shërbimet përkatëse po punojnë në vendngjarje dhe detajet janë ende duke u sqaruar. Kulla e TV ndodhet 15 km (9 milje) nga Rivne.

Nuk ka ende informacione për viktimat dhe të plagosurit, shkruan BBC, ndërsa thotë se vetë nuk kanë mundur ta verifikojnë.

Agjencia UNIAN ka thënë se në fshatin Stavische, në rajonin Zhytomyr, një sulm me raketa kishte në shënjestër ndërtesat administrative. UNIAN thotë se katër persona u plagosën dhe shtatë ndërtesa u shkatërruan në sulm.

Të hënën, sirenat e sulmit ajror mund të dëgjoheshin në shumë rajone anembanë vendit, nga Lviv dhe Transcarpathia në Kharkiv dhe Odesa.

 

Shërbimi Shtetëror i Emergjencave tha në kanalin e tij Telegram se një predhë artilerie që goditi një ndërtesë banimi nëntë katëshe në Kiev kishte shkaktuar dëme në disa apartamente dhe kate.