Ukraina dyshon se premtimi i Rusisë për t’u tërhequr është mashtrim

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Ukrainës tha se zotimi i Rusisë për tërheqje është i dizajnuar për të mashtruar.

Në një postim në Facebook, Shtabi i Përgjithshëm tha se njësitë ruse po vazhdojnë të largohen nga Kievi dhe Çernihivi. Më 29 mars, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se do të zvogëlojë aktivitetin ushtarak në Kiev dhe Çernihiv dhe paraprakisht është deklaruar se do të fokusojë operacionet e saj në rajonin lindor të Donbasit.
Ushtria ukrainase tha se beson se tërheqjet “me gjasë janë një rotacion i njësive individuale” që synojnë të mashtrojnë udhëheqjen ushtarake të Ukrainës dhe të krijojnë një “ide të gabuar” lidhur me qëllimin e dislokimit të tyre.

Në postimin e Shtabit të Përgjithshëm po ashtu përmendet deklarata e zëdhënësit të Pentagonit, John Kirby, i cili ka thënë se vazhdon të ketë kërcënim për Kievin pavarësisht lëvizjeve të forcave ruse, që po largohen nga qyteti.
Po ashtu, ushtria ukrainase tha se Rusia po vazhdon luftimet në afërsi të Donjeckut, që gjendet në lindje të Ukrainës.

Më poshtë gjeni një përmbledhje të ditës së 34-të të luftës, sipas Radio Evropa e Lirë.

Ukraina dhe Rusia kanë shënuar përparim në bisedimet e para sy më sy, pas më shumë se dy javësh, pasi Moska është zotuar për zvogëlim të operacioneve ushtarake rreth Kievit dhe Çernihivit, dhe Ukraina ka thënë se do të pranojë statusin e shtetit neutral.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu ka thënë se bisedimet e së martës kanë qenë më të suksesshmet prej kur kanë nisur diskutimet në mes të të dyja palëve.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se sinjalet nga bisedimet për paqe, mund të konsiderohen pozitive, mirëpo ka shtuar se ato nuk kanë ndalur shpërthimet nga ana e Rusisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë thënë se duhet pasur kujdes ndaj pretendimeve të Rusisë për zvogëlim të sulmeve.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se “do të shohim çfarë do të ndodhë” në terren, ndërsa kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se Rusia do të gjykohet nga veprat dhe jo fjalët
Një negociator rus ka paralajmëruar se zotimi i Rusisë për shtensionim nuk do të thotë “armëpushim”.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, ka thënë se Rusia është duke “ripozicionuar” forcat e saj afër Kievit, mirëpo nuk është duke i tërhequr ato, andaj qyteti është nën rrezik.

Katër shtete evropiane – Holanda, Belgjika, Irlanda dhe Republika Çeke – kanë njoftuar për dëbime masive të diplomatëve rusë, nën dyshimet për spiunim.

Polonia ka miratuar një projektligj që do të ndalonte importin e thëngjillit rus, ka thënë zëdhënësi qeveritar, Piotr Muller. Ky shtet u ka kërkuar partnerëve të Bashkimit Evropian që të vendosin embargo në blerjen e energjisë ruse, mirëpo nuk ka arritur t’i bindë deri më tani


Shtuar 30.03.2022 08:30