Oleksiy Kovalyov, politikani që konsiderohet si tradhtar nga Ukraina, pasi ndryshoi krah duke mbështetur Vladimir Putin ku ky i fundit urdhëroi pushtimin e vendit, është ekzekutuar në banesën e tij, në rajonin e pushtuar të Kherson.
Sipas mediave ndërkombëtare 33-vjeçari është goditur për vdekje me një armë gjahu, ndërsa gruaja e tij 38 vjeçe u godit me thikë dhe ju pre fyti nga agresorët, para se të ndërronte jetë në spital.
Një kanal Telegrami i drejtuar nga gazetari ukrainas Andrei Tsaplienko konfirmoi: “Tradhtari, bashkëpunëtori dhe ish-deputeti i Popullit Oleksiy Kovalyov u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij.
“Okupatorët kanë filluar kërkimet intensive dhe kontrollet e dokumenteve. Kini kujdes, ukrainas”, thuhet më tej.
Ndërkohë, mediat lokale raportojnë se çifti besohet se është vrarë nga një skuadër goditëse.
Oleksiy Kovalyov, mbante një post të lartë në administratën ushtarako-civile të emëruar nga Moska në Kherson, në lidhje me bujqësinë. Pas një tentative të mëhershme të dështuar për vrasje, Kovalyov u kishte thënë në mënyrë sfiduese armiqve të tij ukrainas: “Nuk do të më ndalni dot”.