Prokuroria e Tiranës, ka kërkua konfiskimin e pasurive të Ndue Gjergjit, të ekzekutuar katër vite më parë në një atentat në Laç, dhe familjarëve të tij.
Pasuria e cila dyshohet se ka ardhur si pasojë e aktiviteteve të paligjshme, kap vlerën e 2.5 milionë eurove dhe përfshin apartamente dhe garazhe.
Kujtojmë se atentati ndaj Gjergjit ndodhi në maj të vitit 2020, ku autorë ishin persona të veshur me uniformë policie.
Njoftimi:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë paraqiti kërkesën për konfiskimin e të paktën 2.5 milionë euro pasuri të shtetasit N.Gj. i cili ka ndërruar jetë në vitin 2020 si pasojë e një atentati me armë zjarri dhe e familjarëve të tij, pasi u provua se lidhen dhe rrjedhin nga veprimtaria kriminale.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin pasuror nr.03, të vitit 2023, në ngarkim të këtij shtetasi, rezultoi se i ndjeri ka qenë pjesë e një grupi kriminal i cili fushë kryesore të aktivitetit të tij kriminal kishte veprën penale ‘Trafikimit të lëndëve narkotike’ parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
Prokuroria provoi se shtetasi N.Gj., ka qenë nën hetim në Hollandë për veprën penale të ‘Pastrimit të parave’ ndërsa më parë ka qenë i arrestuar dhe i dënuar për drogë në Itali. Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar, përsa i përket pasurive të shtetasit N.Gj. dhe familjarëve të tij, rezultoi se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se 13 pasuritë e paluajtshme i kanë fituar si rezultat i veprimtarisë kriminale.
Bazuar sa më sipër, prokuroria vlerësoi se pasuritë e tij dhe familjarëve plotësojnë kriteret e parashikuara nga neni 11 i ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 ″Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë″, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se shtetasi N. Gj, ka qenë i përfshirë në veprimtarinë kriminale të veprës penale ″Prodhim dhe shitje narkotikësh” dhe “Pastrimi i parave” .
Për këtë arsye, prokuroria kërkon konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit të pasurive të mëposhtme:
1. Apartament me sipërfaqe 87.30 m2;
2. Apartament me sipërfaqe 87.30 m2;
3. Apartament me sipërfaqe 87.30 m2;
4. Garazh me sipërfaqe 15.00 m2;
5. Garazh me sipërfaqe. 15.00 m2;
6. Garazh me sipërfaqe. 15.00 m2;
7. Garazh me sipërfaqe 15.00 m2,;
8. Apartament me sipërfaqe 617.84 m2;
9. Apartament me sipërfaqe 87.30 m2;
10. Njësi me sipërfaqe 45.21 m2;
11. Garazh me sipërfaqe 15 m2;
12. Garazh me sipërfaqe 15 m2; dhe
13. Apartament me sipërfaqe 99.70 m2.