Shtatë ditë pas vrasjes të prokurorit Marcelo Pecci, policia kolumbiane njoftoi arrestimin e 18 të dyshuarve që mund të jenë të përfshirë në sulm. Autoritetet e Kolumbisë bënë me dije se ata janë 12 kolumbianë, dy venezuelianë, një italian, një domenikane, një holandez dhe një shqiptar, shkruan abcnews.al.
Midis tyre Diego Mauricio Blanco, pilot i dyshuar i Clan Rocha të Brazilit, i cili ka lidhje me Komandën e Parë të Kryeqytetit (PCC).
Identiteti i të arrestuarve të tjerë nuk është bërë i ditur nga autoritetet, por kanë deklaruar se të gjithë kanë një urdhër arresti për trafik droge dhe pastrim parash.
Marcelo Pecci ishte një prokuror i profilit të lartë paraguaian që luftoi kundër krimit të organizuar në vendin e tij dhe u qëllua për vdekje gjatë muajit të mjaltit në Kolumbi. Pecci ishte në një plazh në ishullin turistik Baru kur u vra nga dy persona të armatosur. Disa orë para të shtënave, gruaja e Pecci-t kishte njoftuar në Instagram se ishte shtatzënë./abcnews.al