Gjykata tha se Katsifas u vetëvra, çfarë thotë media greke për procesin ndaj tij dhe prokuroren e çështjes

Pasi Gjykata e Gjirokastrës vendosi të pushojë çështjen e Kostandino Katsifas, duke dalë në përfundimin se ky i fundit ka kryer vetëvrasje, mediat greke kanë hedhur dyshime të forta mbi këtë ngjarje dhe vërtetësinë e procesit gjyqësor ndaj tij.

Mediat greke shkruajnë se prokurorja që ka shqyrtuar çështjen kishte qenë e përfshirë në një rast të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit.

Në artikull thuhet se kjo ngre pikëpyetje pasi propozimi i mëparshëm i kësaj prokurorie ishte kthyer më herët nga gjyqtarja për një hetim të mëtejshëm pasi nuk kishte prova të mjaftueshme për të dalë në përfundimin se Katsifas kishte kryer vetëvrasje.

“Të paqarta mbeten informacionet shtesë që dolën për të pranuar sugjerimin e prokurorit. Raporti i prokurorit nuk është koherent dhe në shumë pjesë të tij është i diskutueshëm dhe kontradiktor.

Pretendimin për vetëvrasjen e Katsifas prokurori e mbështet në ekspertizën mjeko ligjore të kryera në Tiranë dhe Gjirokastër me mjekë që nuk u gjetën kurrë dhe nuk kanë foto të vendit të ngjarjes ashtu si duhet të jenë sipas standardeve botërore”, thuhet në artikull.

Më tej media greke shkruan se për vendimin për vetëvrasjen e Katsifas nuk është marrë parasysh njoftimi zyrtar i RENEA-s për ekzekutimin nga trupat e saj të Kostandino Katsifas.

“Vendimi provokues i Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër e cila pavarësisht qëndrimit fillestar në fund miratoi propozimin e prokurorit, ngre pikëpyetje serioze për mënyrën si u shqyrtuan provat dhe si funksionon drejtësia dhe shteti i së drejtës në Shqipëri.

Zyrtarisht familja e 35-vjeçarit grek ende nuk është vënë në dijeni për vendimin e Gjykatës së Gjirokastrës. Megjithatë, përjashtimi i pranimit zyrtar të vrasjes nga ana e RENEA-s  i hap rrugë ankimimit në Gjykatat Europiane”, përmbyllet kapitulli në mediat greke./albeu.com/