U vetëshpall kandidat i pavarur për bashkinë e Vlorës, KAS lë jashtë garës Gjergj Nikën

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka rrëzuar kërkesën e Gjergj Nikës për tu regjistruar si kandidat i pavarur për bashkinë e Vlorës.

Në mbledhjen e mbajtur pasditen e sotme, anëtarët e KAS argumentuan, se edhe pse gëzonte mandatin e këshilltarit bashkiak të Vlorës, Nika duhet të kishte regjistruar një Komitet Nismëtar, në përputhje me kërkesat e ligjit për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit.

Sipas tyre ligji shqiptar nuk e njeh vetëshpalljen kandidat, ndaj duhet Komiteti Nismëtar, edhe pse Nikës, për shkak të mandatit si këshilltar, nuk do t’i duhej të mblidhte firmat e 1% të zgjedhësve të Vlorës.
Nika nuk u regjistrua në shkallën e parë administrative nga Komisioneri Celibashi, vendim që u konfirmua edhe nga KAS.

Tashmë mundësia e tij e fundit mbetet Kolegji Zgjedhor, sikurse edhe relatori Ilir Rusmali i tha.

“Provojeni fatin në Kolegj”, tha Rusmali.


Shtuar 26.10.2025 20:14