U vetëhelmua para derës së SPAK, Pal Trashaj përcillet për në banesën e fundit

Këtë të enjte, miq, shokë dhe të afërm, i kanë dhënë lamtumiren e fundit 63-vjeçarit Pal Trashaj, i cili i dha fund jetës duke pire f*st*ksinë para ambienteve të SPAK.

Ceremonia mortore u zhvillua në fshatin Pllane të Lezhës, ndërsa gjithçka kaloi në heshtje, pasi asnjë nga familjaret dhe të afërmit e tij, nuk foli për mediat.

Historiani i njohur Pal Trashaj, i dha fund jetës duke pire f*stoks*në, pasi pretendonte se përmbarimi i kishte bllokuar pronat, pavarësisht se e kishte shlyer kredinë që kishte marrë.

Trashaj kishte marrë një kredi, në një prej institucioneve të mikrokredisë në vend, në vitin 2008. Ai ka qenë korrekt në pagimin e kësteve, 150 mijë lekë të vjetra në muaj, duke e mbyllur normalisht.

Disa vite pas mbylljes së kredisë, ai është telefonuar nga institucioni i mikrokredisë, të cilët e kanë njoftuar se sipas tyre 6 këste, me një vlerë prej 900 mijë lekësh të vjetra, nuk i kishte derdhur dhe për këtë i detyrohej atyre bashkë me interesat një pagesë prej 4.4 milionë lekësh.

Dhe këtu fillon edhe kalvari i përballjeve të Trashajt me këta që më herët vetë i ka konsideruar si bandë hajdutësh. Për këstet thoshte se i ka paguar të gjithë një më një, në një nga pikat e kompanisë në qytetin e Lezhës.

Institucioni mikrofinanciar në të cilin 63-vjeçari kishte marrë kredinë, nuk e ka kontaktuar më pas rezistencës së Trashajt, ndërsa pas disa vitesh kredia ishte shitur në MCA dhe kishte hyrë në lojë edhe shoqëria përmbarimore ‘Star’.

Këta të fundit i kanë dërguar me dhjetëra letra dhe me telefonate të ndryshme i kërkonin pagesat, që tashmë ishin bërë sipas tyre 4.8 mln lekë, ndërsa së fundmi edhe i kanë bllokuar për 5 vjet gjithçka: shtëpinë, tokën, makinën dhe pagën ku punonte.


Shtuar 4.07.2024 14:58