U sulmua me thikë në gusht, Salman Rushdie humb shikimin në njërin sy dhe përdorimin e njërës dorë

Autori Salman Rushdie ka humbur shikimin në njërin sy dhe përdorimin e njërës dorë pas sulmit që iu bë me thikë në Nju Jork në gusht, thotë agjenti i tij.

“Ai ka rreth 15 plagë të tjera në gjoks”, tha Andrew Wylie, një agjent me bazë në Nju Jork, gjithashtu për gazetën spanjolle El País, ndërsa shtoi se ishte një sulm brutal.

Wylie tha se nuk mund të zbulonte vendndodhjen e romancierit.

Rushdie është përballur prej kohësh me kërcënime me vdekje për romanin e tij të vitit 1988 “Vargjet Satanike”.

Disa muslimanë e konsiderojnë librin si blasfemi. Personi i akuzuar për sulmin, Hadi Matar, 24 vjeç, i lindur në SHBA, është deklaruar i pafajshëm për tentativë vrasjeje.

I pyetur nëse autori ishte ende në spital, Ëylie u përgjigj: “Nuk mund të jap asnjë informacion për vendndodhjen e tij. Ai do të jetojë. Kjo është gjëja më e rëndësishme.”

Sulmi ndodhi në Institutin Chautauqua në shtetin e Nju Jorkut më 12 gusht. Rushdie ishte gati të mbante një fjalim për mënyrën sesi SHBA ka shërbyer si strehë për shkrimtarët.

Romancieri u detyrua të fshihej për gati 10 vjet pas botimit të Vargjeve Satanike. Shumë muslimanë reaguan me tërbim ndaj tij, duke argumentuar se portretizimi i Profetit Muhamed fyente besimin e tyre.

Ai u përball me kërcënime me vdekje dhe udhëheqësi i atëhershëm iranian, Ayatollah Ruhollah Khomeini, nxori një fetva (dekret) duke bërë thirrje për vrasjen e Rushdie me një shpërblim prej 3 milion dollarësh.

Rushdie ka lindur në Indi në vitin 1947. Ai u dërgua në shkollë me konvikt në Angli përpara se të studionte në Universitetin e Kembrixhit. Në vitin 2007, ai u shpall kalorës për shërbime në letërsi.

Ka pasur një valë mbështetjeje për të, me sulmin e dënuar gjerësisht si një sulm ndaj lirisë së shprehjes./albeu.com


Shtuar 24.10.2022 09:28