U shpall non-grata, Prokuroria në Serbi do t’i kërkojë SHBA-së prova për rastin e Vulinit

Prokuroria Publike kundër Krimit të Organizuar në Beograd ka njoftuar se do të kërkojë informacione shtesë lidhur me rastin e drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandar Vulin.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Vulinit më 11 korrik, nën dyshimet për korrupsion, trafikim droge dhe lidhje me Rusinë.

Prokuroria serbe përmes një deklarate tha më 14 korrik se do të kërkojë informacione shtesë nga institucionet vendore dhe gjyqësore të SHBA-së si dhe nga partnerët e tjerë ndërkombëtar. Ky institucion tha se do të kërkojë prova konkrete.

Prokuroria Publike kundër Krimit të Organizuar tha po ashtu se për sanksionet e SHBA-së ndaj Vulinit kanë mësuar përmes raportimeve të mediave.

Ky institucion tha se në kohën kur Vulin ishte ministër i Brendshëm dhe tani drejtor i BIA-s, institucionet ligjzbatuese kanë bashkëpuar dhe me sukses kanë zbuluar disa raste të krimit të organizuar, krimit të organizuar transnacional, dhe sipas prokurorisë zbulimi i këtyre rasteve u bë në bashkëpunim ndërkombëtar.

“Gjatë punës në këto raste, si dhe në raste të tjera të kësaj prokurorie, asnjë institucion ndërkombëtar policor apo gjyqësor, si dhe asnjë institucion vendor, nuk ka konstatuar se Vulin është përfshirë në ndonjë aktivitet kriminal”, tha prokuroria serbe.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Vulin është sanksionuar “sepse unë nuk kam vendosur sanksione ndaj Rusisë”.

Vuçiq po ashtu ka deklaruar se sanksionet ndaj Vulinit nuk kanë të bëjnë asgjë me armë apo drogë.

Pse është sanksionuar Vulini?

Departamenti amerikan i Thesarit ka thënë se Vulin është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Sipas SHBA-së, Vulin është përfshirë në krim të organizuar transatlantik, në operacionet joligjore narkotike dhe në keqpërdorim të detyrës zyrtare. Vulinin po ashtu akuzohet se ka “avancuar” korrupsionin brenda institucioneve qeverisëse serbe.

“Ai ka përdorur pozitat publike për të mbështetur Rusinë, për të lehtësuar aktivitetin malinj të Rusisë që degradon sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanin Perëndimor dhe i ofron Rusisë një platformë për të përhapur më tej ndikimin e saj në rajon”, është thënë në njoftimin e Departamentit amerikan të Thesarit./REL


Shtuar 14.07.2023 15:27