Spitali Universitar i Traumës, ka reaguar përmes një njoftimi publik në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, pasi 14-vjeçari Luis Meçe që u plagos para shkollës Fan Noli, bëri apel për ndihmë për të përballuar shpenzimet për t’u kuruar.
Spitali i Traumës, bën me dije se gjendja e Luisit është e stabilizuar dhe se deri më tani situata në të cilën ai ndodhet paraqitet e mirë dhe se nuk ka pasur asnjë komplikacion, që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës.
Reagimi i plotë nga Spitali Universitar i Traumës:
Informacion për interesin publik, nisur nga aludimet për mungesën e shërbimit ndaj pacientit 14 vjeçar i plagosur pranë Shkollës “Fan Noli”:
Në lidhje me rastin e pacientit 14- vjeçar i cili ka mbërritur në Spitalin Universitar të Traumës më 18 nëntor, dëshirojmë të bëjmë me dije se ekipi mjekësor i Pranim Urgjencës i ka dhënë pacientit shërbimin mjekësor të nevojshëm dhe pas stabilizimit të gjendjes fillestare ai është shtruar për të vazhduar trajtimin në pavionin e Kirurgjisë së Përgjithshme.
Përveç kujdesit mjekësor intensiv, pacienti ka marrë edhe mbështetje psikologjike nga psikologët. Gjatë qëndrimit në spital, ndaj 14- vjeçarit janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore për trajtimin fizik dhe psikologjik, dhe gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm.
Në momentin që ka qenë i nevojshëm dhe i mundur, pacienti ka filluar trajtimin fizioterapik, i cili është në vijim dhe ka dhënë rezultate pozitive. Aktualisht, gjendja e pacientit paraqitet e mirë dhe deri tani nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës.
Mirënjohje për ekipin mjekësor dhe të gjithë specialistët që po ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së pacientit dhe sigurojmë publikun që Spitali Universitar i Traumës vazhdon të ofrojë kujdes mjekësor të specializuar dhe gjithëpërfshirës për të gjithë pacientët.