U përjashtua me 15 vite nga sistemi i drejtësisë, KLP miraton mbarimin e mandatit të Alfred Ballës me 9 vota pro

TIRANË– Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka votuar me 9 vota pro për përfundimin e mandatit të Alfred Ballës, i cili ishte edhe kryetari në detyrë i KLP-së. Kundër ka votuar vetëm Nurihan Seiti.

Mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për përfundimin e mandatit të kryetarit Alfred Balla u zhvillua me debate të ashpra. Çështja nëse Balla duhet të vijojë detyrën si kryetar apo jo, ndau në dy ‘kampe’ anëtarët.

Vetë Balla i cili nuk ishte i pranishëm në mbledhje, me një shkresë drejtuar KLP sfidoi vendimin e KPA për përjashtimin e tij me 15 vite nga drejtësia, duke thënë se nuk është i menjëhershëm dhe se ai është zgjedhur nga Kuvendi si përfaqësues i shoqërisë civile.

“Unë jam anëtar i KLP-së i zgjedhur nga Kuvendi prej përfaqësuesve të shoqërisë civile shqiptare…Nga interpretimi i nenit 149/b të Kushtetutës nuk del e qartë se, në lidhje me vazhdimin e qëndrimit në detyrë, tashmë duhet të shprehet ky Këshill, apo organi i emërtesës sime që është Kuvendi i Shqipërisë, apo Gjykata Kushtetuese?”, shkruan Balla.

Për shkak të debateve me tone të larta, mbledhja që nisi në 11:00 u shty për rreth 3 orë, ndërsa një komision prej 3 anëtarësh përgatiti një relacion mbi mandatin e Ballës për t’ia dorëzuar më pas KLP-së për votim. Mbledhja rinisi në orën 17:00 dhe u vendos që të votohet pro përfundimit të mandatit të tij./albeu.com


Shtuar 27.05.2024 17:34