Gjykata e Posaçme ka dhënë masën e sigurisë për 7 personat e arrestuar dhe 2 në kërkim në lidhje me kapjen e armatimit dhe municioneve pak ditë më parë dhe zbardhjen e 3 ngjarjeve të ndodhura gjatë periudhës 2017-2019 në Tiranë.
Mësohet se GJKKO ka lënë në burg pa afat Flor Abazin, Bujar Jaupin e Arben Sufën, Petrit Sherën, Algert Hysën, Festim Mustafain, Paris Prengën dhe Bledar Dedën ndërsa ka vendosur 45 ditë burg për Klodian Kullën.
Kujtojmë se tre ditë më parë, më 1 prill u arrestuan 5 person, Paris Prenga, Bledar Deda, Flor Abazi, Bujar Jaupi dhe Arben Sufa.
Ky grup kriminal u godit pak ditë më parë, pas një operacioni nga Policia e Tiranës, FNSH dhe Forcat RENEA, ku u zbuluan e shkatërruan 18 baza që shërbenin për modifikimin, magazinimin dhe shitjen e armëve luftarake.
Gjatë aksionit, u sekuestruan arsenal armësh luftarake të llojeve të ndryshme, snajper, antitanke, kallashnikovë, pistoleta, silenciatorë, radio policie e ushtrie, optikë termikë për snajper, pjesë të ndryshme për modifikimin e armëve luftarake e sasi municionesh luftarake, 7 automjete, 2 prej tyre të blinduara.