U kap me mbi 500 mijë euro në Portin e Durrësit, gjykata lë në burg Elidon Çelën

Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për drejtuesin e autobusit që u kap me mbi 500 mijë euro në Portin e Durrësit, të cilat I kishte fshehur në mjet. Ndërsa dy ndihmësit e tij, D. K., 36 vjeç dhe A. C., 32 u lanë të lirë.

Kujtojmë se Çela ka dëshmuar ditën e hënë në lidhje me shumën e kapur, ku ka thënë se paratë ishin kursime të familjes dhe se do të investoheshin në toka me qira dhe bujqësi.

“Mallrat janë të emigrantëve që jetojnë në Itali, i deklarova në doganën e Barit. Kemi biznes, paratë janë kursime të familjes, do investoja në toka me qira dhe bujqësi. Askush nuk e dinte për paratë në autobus, kisha frikën e ndonjë grabitjeje” është shprehur ai.

Kompania e transportit në të cilin u gjetën eurot ka qenë edhe më parë objekt shkeljesh.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë./albeu.com


Shtuar 25.10.2022 09:56