U hoqën nga puna pas përmirësimit të situatës nga COVID-19, mjekët: Qeveria të tërheqë vendimin

Pas vendimit të ministrisë së Shëndetësisë se 1 mijë mjekë specializantë të cilët u punësuan gjatë pandemisë, iu ka mbaruar kontrata e punës si pasojë e përmirësimit të situatës, kanë reaguar dhe vetë mjekët.

Në kundërshtim të këtij veprimi, mjekët kanë firmosur një peticion, duke e konsideruar të paligjshëm heqjen nga puna. Gjithashtu ata kanë deklaruar se do të përshkallëzojnë veprimet e tyre nëse qeveria nuk tërhiqet nga vendimi.

Më 18 qershor u bë e ditur se 1 mijë mjekë të specializuar, të cilët u punësuan në sektorin publik të shëndetësisë gjatë periudhës së pandemisë dhe luftuan mbi një vit në spitalet COVID, u është ndërprerë kontrata e punës. Vendimin e ka lëshuar Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, ku theksohet ndërprerja e kontratës së punësimit me mjekët specializantë. Në vendim, theksohet se largimi i tyre nga sistemi publik i shëndetësisë ka ardhur pas kërkesës së bërë nga Ministria e Shëndetësisë.


Shtuar 22.06.2021 15:15