U helmuan në kompaninë që prodhon pajisje elektrike për automjete, të tjerë punonjës paraqiten në spital

Ditën e sotme, janë paraqitur në spitalin rajonal të Fierit për të kërkuar ndihmë mjekësore, disa punonjës të kompanisë që prodhojnë pajisje elektrike për automjete.

Ndryshe nga mbrëmja e djeshme, ku në kompani kanë mbërritur ambulancat, sot punëtorët po shoqërohen me makinat private të kompanisë.

Mbrëmjen e djeshme, tre ambulanca mbërritën në ambientet e fabrikës së huaj, ku fillimisht u dyshua se disa punonjës janë asfiksuar nga lëndët kimike që përdoren gjatë procesit të punës që kryhen brenda kësaj kompanie që ushtron aktivitetin prej gati 5 vitesh dhe operon në sektorin e pajisjeve elektrike për automjetet.

Shtatë persona morën ndihmë mjekësore në ambientet e kompanisë dhe më pas janë larguar për në banesë.

“Rreth orës 20:30, disa punonjëse të një kompanie për prodhimin e sistemit elektrik dhe të pjesëve automobilistike, kanë shfaqur probleme shëndetësore dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore. 7 prej tyre kanë marrë ndihmën e parë në ambientet e kompanisë, dhe janë larguar në banesë, ndërsa njëra prej tyre vijon të marrë ndihmën mjekësore në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, u tha dje në njoftimin e policisë.

Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.